Administrata Kombëtare amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) ka zbuluar një krater të ri të vogël në Hënë, që me gjasë është krijuar nga përplasja e një sonde ruse, që tentoi të ulej në sipërfaqen hënore rreth dy javë më parë.
Këto gjetje i bëri sonda Lunar Roconnaissance Orbiter (LRO), që krahasoi imazhet para dhe pas në pikën e impaktit. Imazhet u ofruan nga agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos. Sonda Luna-25 u rrëzua më 19 gusht, duke shuar shpresat e Moskës që të ringjallë programin e saj për udhëtimet drejt Hënës, pasi Rusia synonte të bëhej shteti i parë që do të zbarkonte në polin jugor hënor.
Por, India arriti që me sukses të ulte sondën e san Chandaryaan 3. Zbarkimi i sondës në polin jugor hënor ndodhi më 23 gusht dhe sonda aktualisht është duke eksploruar këtë zonë. LRO, që është duke u rrotulluar rreth Hënës që nga viti 2009, fotografitë para përplasjes së sondës ruse i realizojë në qershor të vitit 2022. Këto imazhe u krahasuan me fotografitë e realizuara më 24 gusht 2023.
“Pasi që krateri i ri është afër vendit ku u përplas Luna-25, ekipi i sondës LRO erdhi në përfundim se ka të ngjarë që krateri të jetë shkaktuar nga kjo ngjarje, e jo nga ndonjë ndikim natyror”, u tha në deklaratën e NASA-s.
Krateri i ri është rreth 10 metra në diametër dhe rreth 400 kilometra nga vendi ku Luna-25 ishte paraparë që të zbarkonte.
NASA po ashtu planifikon që t’i kthehet misioneve të Hënës përmes programit Artemis, që synon të krijojë një prezencë të qëndrueshme në hapësirën hënore. Akulli që gjendet në Hënë mund të shfrytëzohet për të mbështetur habitatet njerëzore ose mund të ndahet në hidrogjen dhe oksigjen që më pas të përdoren si lëndë djegëse për raketat.