Shqipëria pritet të jetë destinacioni “numër 1” absolut turistik i Europës për vitin 2024, pas bumit që përjetoi turizmi i vendit tonë gjatë kësaj vere, prej të cilit u rendit mes destinacioneve turistike botërore.
Ky parashikim bëhet nga varianti polak i medias më të madhe amerikane të udhëtimeve “National Geographic Traveler”. Kjo media ka publikuar edhe një listë të qyteteve shqiptare që rekomandohen për t’u vizituar nga turistët polakë.
Në krye të listës është Tirana, që konsiderohet si kryeqyteti më dinamik i rajonit, ku pranë njëra-tjetrës gjen periudha të ndryshme të arkitekturës që i ndajnë dekada të tëra.
Që prej fillimit të viteve ’90 kur ra komunizmi. Qendra e kryeqytetit tani rrethohet nga ndërtesa shumëkatëshe moderne, të gjendura fare pranë atyre të periudhës komuniste, fashiste e të mëhershme nga periudha osmane.
“Ndërtesave më të vjetra i është dhënë jetë e re me pamje me ngjyra të shumta dhe të ndezura sipas vizionit të kryebashkiakut të atëhershëm Edi Rama, sot Kryeministër i vendit”, shkruan National Geographic.
“Ndërsa sot gjithçka ka tendencë drejt luksit. Ka pasur mungesë, ka një tepricë. Kishte zbrazëti, ka shumë stimuj. Dhe të gjithë duket se janë në lëvizje, por askush nuk nxitohet”, vijon më tej shkrimi.
“Nëse dikush dëshiron të shohë një Shqipëri të vjetër, të shënuar nga një martesë e detyruar me Turqinë, duhet të vizitojë Beratin dhe Gjirokastrën. Berati quhet “qyteti i një mijë dritareve”. Nga ana tjetër, Gjirokastra është “qyteti i njëmijë hapave”,shkruan National Geographic Poland.
Riviera shqiptare është një varg fshatrash dhe qytetesh piktoreske të shpërndara përgjatë bregdetit, duke filluar nga Qafa e Llogarasë dhe duke përfunduar në Lukovë.
Ndër to, më të njohurit janë Himarë dhe Dhërmi. Nuk lihet jashtë vëmendjes edhe Ksamili si një prej plazheve më unike në rajon e po ashtu edhe Butrinti për ata që duan historinë.