Legjenda e futbollit shqiptar, Osman Mema u nda dje nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ish-mbrojtësi është futbollisti më i dekoruar në futbollin shqipitar, në karrierën e tij ka luajtur me klubet e Tiranës dhe Partizanit, duke fituar trofe të ndryshëm, mes tyre edhe titullin kampion të Shqipërisë.
I vlerësuar nga FSHF me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, apo edhe “Mjeshër i Madh” nga presidenti i Republikës, Mema ka fituar shtatë trofe kampionësh në Shqipëri dhe zë një vend të rëndësishëm në futbollin shqiptar.
Në lidhje me këtë humbje të “dinastisë Mema” ka reaguar edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka thënë se u largua nga jeta një figurë me vlera legjendare.
“Futbolli shqiptar e në veçanti ai tiranas humbi sot një tjetër figurë legjendare. Është ndarë nga jeta Osman Mema, një nga figurat më të spikatura të dinastisë Mema, që i ka dhënë shumë futbollit e që ka fituar më shumë tituj. I nderuar me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” nga Federata Shqiptare e Futbollit pesë vite më parë, me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shtatë herë Kampion i Shqipërisë me fanellat e Tiranës dhe Partizanit, Mema zë një vend të rëndësishëm në hollin e famës së futbollit shqiptar, duke qenë një personalitet i padiskutueshëm në fushë dhe jashtë saj. Një qytetar model dhe me vlera të mëdha”, thotë Duka në ngushëllimin drejtuar familjes.