Jorge Vilda është shkarkuar nga detyra si trajner i skuadrës spanjolle të futbollit për femra, mes pasojave të vazhdueshme nga puthja e padëshiruar e Luis Rubiales ndaj një lojtare në finalen e Kupës së Botës për femra. Ky veprim vjen si pjesë e një tronditjeje të madhe në futbollin spanjoll që kur Rubiales, presidenti i federatës së futbollit të vendit, puthi me forcë sulmuesen Jennifer Hermoso.
Rubiales ka kërkuar falje për veprimet e tij dhe e përshkroi puthjen si “të ndërsjellë” – një pretendim që Hermoso e mohoi, duke e konsideruar mungesë respekti. Shefit të futbollit i është shqiptuar një pezullim 90-ditor nga FIFA, organi drejtues global i futbollit, ndërkohë që procedimet disiplinore janë duke u zhvilluar.
Në një deklaratë që njoftonte shkarkimin e Vildës, RFEF tha se: “Trajneri ishte çelësi i rritjes së dukshme të futbollit të femrave, dhe largohet duke e lënë Spanjën si kampione bote dhe të dytën në renditjen e FIFA-s.
Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit, në një nga masat e para të ristrukturimit të shpallur nga Presidenti (i përkohshëm) Pedro Rocha, ka vendosur të heqë dorë nga shërbimet e Jorge Vilda si drejtor sportiv dhe trajner i kombëtares së femrave, detyrë të cilën e ka kryer që nga viti 2015. RFEF vlerëson punën në krye të ekipit kombëtar dhe përgjegjësitë e tij si figura maksimale sportive e ekipeve kombëtare të femrave, si dhe sukseset e korrura gjatë mandatit të tij, të kurorëzuar me arritjen e fundit të Kupës së Botës”.