Këtë sezon, drejtuesit e Tottenham vendosin t’i besonin skuadrën një trajneri me profil të ulët si Ange Postecoglou i cili mbërriti në Londër pas një eksperience me Celtic. Gjithçka duket se po shkon mirë dhe pavarësisht eliminimit të shpejtë nga Kupa e Ligës, Tottenham në kampionat ia ka dalë të grumbullojë 13 pikë nga 15 të mundshmet në pesë javët e para të kampionatit duke u renditur në vend të dytë, dy pikë më pak se Manchester City kryesues.
Postecoglou duket se ka mundur të gjejë ekuilibrat e duhura në fushë, diçka që sipas presidentit Daniel Levy, dështoi ta bënte si Jose Mourinho ashtu edhe Antonio Conte. Në një intervistë të fundit, Levy shprehet se Conte dhe Mourinho janë trajnerë të shkëlqyer, por nuk ishin të përshtatshëm për klubin e tij.
“Kaluam nga një periudhë në të cilën kishim sukses dhe për pak sa nuk fituam trofe me Pochetinon. Ishin ditë të bukura ato me Pochetinon, por më pas vendosëm të ndryshonim strategji dhe kërkuam që skuadra të drejtohej nga trajnerë me më shumë eksperiencë dhe që kishin fituar trofe. Bashkëpunuam me dy të tillë, Mourinho dhe Conte, por duket se gabuam.
Ata janë dy trajnerë të shkëlqyer, por ndoshta nuk ishin të përshtatshëm për këtë klub. Duhet të mësojmë nga gabimet dhe besoj se me Postecoglou kemi marrë vendimin e duhur. Ai është shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Më kërkonin që të firmosja me një emër të madh, por unë isha i interesuar vetëm për dikë që njeh ADN tonë, të luajë futboll ofensiv dhe t’i japë mundësi të rinjve, të krijojë një raport të mirë me tifozët si dhe të kuptojë mundësitë e këtij klubi”, u shpreh Levy.