Presidenti rumun Klaus Iohannis këtë të enjte ka deklaruar se sulmet ruse në portet e Danubit të Ukrainës do të ngadalësojnë eksportet e grurit dhe rrugët e tjera duhet të forcohen.

Që kur Moska braktisi marrëveshjen në korrik që hoqi bllokadën de fakto ruse të porteve të Ukrainës në Detin e Zi, Rusia ka goditur vazhdimisht portet ukrainase në Danub përballë Rumanisë, raporton Reuters.

Porti i Detit të Zi të Rumanisë, Konstanca, është korridori alternativ më i madh i eksportit të Ukrainës, me grurë që mbërrin me maune nga Danubi. Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë.

“Ne do të forcojmë rrugët e tjera, ne pranuam transportin detar ukrainas përmes ujërave tona territoriale rumune jashtë Detit të Zi, ne do të vazhdojmë të forcojmë eksportet me hekurudhë dhe rrugë”, tha Iohannis.

Në një konferencë shtypi në Bukuresht, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se vendi i tij ofroi akses në Mesdhe nëpërmjet porteve të tij dhe se ministria e tij e transportit po bashkëpunonte me Komisionin Evropian dhe Ukrainën.

Rumania është një nga pesë vendet lindore anëtare të BE- së së bashku me Bullgarinë, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë që ka një rritje të importeve të grurit ukrainas pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka shkaktuar shtrembërime në tregjet lokale dhe protesta nga fermerët, duke bërë që BE të miratojë përkohësisht kufizimet tregtare.