Analisti Skënder Minxhozi, gjatë debatit në “Real Story” në ABC News me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli për problematikat e kësaj partie. Sipas Minxhozit, PD-ja ka rënë në një qerthull dhe nuk po di si të dalë, dhe fajin për këtë e kanë Berisha edhe Basha.

“Do t’i thoja Bardhit me shumë qetësi, që diagnoza që ai gjen të sëmurit është tërësisht e gabuar. Mendoj se PD e sotme, vuajnë nga një diagnozë tjetër shumë me e hershme dhe më e thelle se sa formatimit të një tryeze. Problemi i madh i PD është në gjenezë, në dilemën shkatërrimtare, 10-vjeçare tashmë Berisha-Basha. Ka rënë në një qerthull, nga i cili nuk po di si do të dalë”, tha ai.
Ai theksoi se rrugë-zgjidhja politike për PD është t’i nënshtrohet pa humbur kohë, një rotacioni gjeneratash, për të sjellë gjak të ri në strukturën e saj.

“Diagnoza është një dhe vetëm një: me çdo kush rotacion gjeneratash në parti. Ju nuk e merrni dot pushtetin nga Edi Rama tani. Problemi është, a do ta merrni më vonë? Amerikanët dhe evropianët kanë një problem parimor me Berishën. E kanë mbyll problemin. Kujdes kush rri me non gratat. Keni luftë me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. “, tha ai. Minxhozi iu drejtua Bardhit se “luftën” më të madhe politike nuk e kanë me Ramën, por me Berishën dhe Bashën. Bashkëpunimi me ta shtoi Minxhozi do t’i zgjasë më tej agoninë PD.

“Z. Bardhi nuk keni luftën me Edi Ramën, keni luftë me Bashën dhe Berishën. Nëse ju, me një nga të dy, për arsye korente të ditës dhe nevoja konkrete, ju tundohuni për çfarëdolloj bashkëpunimi, ta dini se do bëni vetëm një gjë dhe jo tjetrën; do të zgjasni jetën politike të njërit prej të dyve dhe do zgjasnin agoninë e Partisë Demokratike”, tha ai.