“Unë e kam zgjedhur Shqipërinë me zemër. Jam i lumtur që jam shqiptar. Jam krenar! I gëzuar që mund të jem pjesë e Kombëtares”, kështu deklaronte në pranverën e vitit 2021, Nedim Bajrami futbollisti i kombëtares, që i shënoi një gol fantastik Çekisë, duke barazuar në një ndeshje për t’u mbajtur mend në Pragë, të vlefshme për eleminatoret e kampionatit Evropian.
Por, 24 vjeçari i lindur në Zvicër nga një baba nga Tetova dhe nga një nënë prej Gostivari, nuk e ka pasur të lehtë rrugën për të mbërritur deri tek kuqezinjtë. Ai ishte aktivizuar me skuadrat e moshave të Zvicrës, kishte shkëlqyer aty, dhe më pas nga Grasshopres kaloi drejt Italisë si mesfushor i Empolit.
Në moshen 21 vjeçare ai kontribuoi fort në ngjitjen e kësaj skuadre nga kategoria e dytë në Serie A, duke shënuar plot dhjetë gola dhe duke dhënë pothuajse po aq asiste. Në këtë pikë kulmore të karrierës së tij të re, ai duhej të bëhej gati të luante në kampionatin evropian të 21 vjeçarëve me Zvicrën me fanelën e kombëtares, të së cilës kishte zhvilluar plot 50 ndeshje me skuadrat e moshave të ndryshme.
Pikërisht ky qe momenti që në dejet e tij pulsoi gjaku i shqiptarit. Ai nuk zgjodhi të njëjtën rrugë si paraardhësit e tij Xhaka, Shaqiri apo Berhami. Ai refuzoi të mbante ngjyrat e vendit që e adoptoi.
Ai i tha “Jo” ftesës për të përfaqësuar Zvicrën në turneun evropian që do zhvillohej në Slloveni dhe Hungari. Ky lajm u prit me shumë pezm në radhët e tifozëve të “Nati”.
Gazeta emadhe “Le Temps” të Gjenevës, shkruante në mars 2021. “Një goditje e rëndë për ekipin zviceran U-21, i cili po përgatitet për të garuar në Kampionatin Evropian të Kombeve në fund të muajit: Ai nuk do të ketë më shërbimet e Nedim Bajramit, i cili kishte bërë tetë paraqitje dhe kishte shënuar një gol në dhjetë ndeshje të fazës kualifikuese. Mesfushori sulmues i Empolit nuk është i vrarë. Ai thjesht ka vendosur të veshë fanellën e Shqipërisë”.
“Bëmë përpjekje të mëdha për ta bindur Nedimin që të vazhdonte të luante për Zvicrën. Megjithatë ai na e bëri të qartë se zemra i rrihte më fort për Shqipërinë. Identifikimi është një vlerë thelbësore kur bëhet fjalë për të luajtur për ekipin kombëtar të Zvicrës. Kjo është arsyeja pse ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta linim të ikte”, deklaroi atë kohë trajneri i vet Mauro Lustrinelli.
Pavarësisht nga kjo deklaratë, gjërat nuk qenë kaq të thjeshta. Federata zvicerane e ankimoi këtë vendim dhe fillimisht FIFA, i dha të drejtë asaj. Kupola e futbollit botëror e rrefuzoi kërkesën e FSHF që Bajrami të lejohet të luante për Shqipërinë, me pretendimin se ai kishte luajtur me Zvicrën 4 ndeshje pasi kishte mbushur moshën 21 vjeç. Çështja e futbollistit mbeti sërish pezull deri sa federata shqiptare vendosi të mos dorëzohej dhe ta ndiqte dosjen Bajrami në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë.
Kërkësa e paraqitur në qershor 2021 u shqyrtua në gusht të të njëjtit vit dhe më në fund Nedim Bajrami u lejua të luajë për Shqipërinë. Ai debutoi në shtator të të njëjtit vit në Elbasan Arena kundër Hungarisë duke shkaktuar një polemikë sepse kamera e kapi duke qënduar i heshtu gjatë ekzekutimit të himnit të flamurit fjalët e të cilit me sa duket i riu i rritur në Zvicër nuk i dinte.
Por atë që s’dintë ta bëne me gojë Nedim Bajrami di ta qajë me këmbë. Ai shënoi golin e parë me kuqezinjtë në fitoren ndaj Moldavisë (2-0) dhe këtë të enjte në Pragë ekzekutoi atë që pas ndeshjes e quajti si më të bukrin e karierës së tij të deri tanishme.
Lojtari që në janar të këtij viti kaloi nga Empoli te Sasuolo për rreth 8 milionë euro është tashmë një shtyllë e formacionit të kombëtares. Dhe të mendosh se e gjitha kjo s’do të qe e mundur nëse ai do të kishte refuzuar evropianin e 21 vjeçarëve me Zvicrën dhe nëse FSHF nuk do të kishte fituar betejën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.