Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha në një intervistë televizive se fuqitë perëndimore kanë vendosur në krye të Ukrainës Volodymyr Zelenksyn, i cili është me origjinë hebreje, për të mbuluar glorifikimin e nazizmit.
“Padronët perëndimorë të Ukrainës vendosën një hebre etnik, një person me rrënjë hebreje, me trashëgimi hebreje, në krye të Ukrainës moderne. Në këtë mënyrë, për mendimin tim, mbulojnë esencën çnjerëzore të shtetit aktual ukrainas, themelet mbi të cilat ai është ndërtuar. Dhe kjo e bën të gjithë këtë situatë shumë të shpifur”, tha Putin.
“Ajo që është e shpifur është se një hebre etnik po mbulon glorifikimin e nazizmit dhe mbron ata që në atë kohë ishin autorë të Holokaustit në Ukrainë. Janë vrarë rreth 1,5 milionë njerëz. Qytetarët e zakonshëm izraelitë e kuptojnë më mirë. Mjafton të shikoni se çfarë thonë në internet”, shtoi Putin.
Për të justifikuar veprimet e tij në Ukrainë, të cilat Putin i quan “operacion special ushtarak”, Rusia akuzon udhëheqësit e Kievit se janë neonazistë, që po bëjnë gjenocid ndaj qytetarëve rusishtfolës, diçka që Ukraina dhe Perëndimi e konsideron pretekst të Rusisë për pushtimin e një vendi tjetër. Zelensky, i cili thotë se vëllezërit e gjyshit të tij janë vrarë në Holokaust, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ruse se po mbështet neo-nazistët në Ukrainë.