Për analistin Skënder Minzhozi, ndryshimet në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ishin të nevojshme. “Vjeshta duket gjithmonë një moment i përshtatshëm për të lëvizur qeveritë, për të korrigjuar kabinetet, për të sjellë emra dhe fytyra të reja. Për hir të së vërtetës, kjo është edhe më e domosdoshme në një qeverisje, si një e tërë ka hyrë në vitin e 10-të dhe i drejtohet vitit të 11-të.

Pra, një parti politike e cila natyrshëm dhe në mënyrë fiziologjike, fillon të ndjejë nevojën për të shkartisur listat e drejtuesve, për të parë rreth e rrotull nëse ka emra të rinj, prurje të reja, ide të reja. Mesa duket, disa të tilla u propozuan nga Edi Rama, ndër të cilat, më kryesore duket e ministrit të Jashtëm ose afrimi i Maznikut nga Bashkia Tiranë, ministrja e re e bujqësisë Anila Denaj apo ish-drejtoresha e administratës publike.

Është një ritual që Edi Rama po e përdor thuajse çdo vit për t’i dhënë qeverisë së tij disa motive të reja për të funksionuar më mirë. Por duhet thënë, në një qeveri si kjo e dominuar në dorë të hekurt nga njëshi, të gjitha këto premisa pozitive mund të rezultojnë në fund të ditës, në vlerë relative pasi dihet se kryeministri është i fuqishëm dhe i padiskutueshëm në pozicionin e tij dhe vetë qeveria është organizuar në një mënyrë të tillë që roli i ministrave të jetë minimal dhe vendimtar të jetë vetëm vullneti i kreut të qeverisë.

Largimi nga qeveria politike për mendimin tim nuk është diçka pozitive në vetvete, sepse objektivisht bën që partia politike më e madhe në Shqipëri, formalisht, por edhe në mënyrë substanciale, të jetë gjithmonë edhe më pak prezente në qeverinë aktuale. Ministrat si i Mbrojtjes, i Brendshëm, i Jashtëm apo i Financave të ishin politikë, parimisht, sepse duhet që partia në pushtet të marrë përgjegjësi për këto drejtime kryesore të qeverisjes së një vendi, pra, duhet të ketë përgjegjësi direkte”, theksoi ai.