Është rikthyer me edicionin e tij të 10-të Festivali Ndërkombëtar i Filmit me metrazh të shkurtër “Korça Short Film Fest” i cili për 5 net me radhë do të sjellë për publikun në Kinema “Majestic”, 35 filma nga 28 vende të ndryshme të botës përfshirë edhe Shqipërinë. Për drejtorin e festivalit Gledis Bica nga 700 aplikime janë përzgjedhur për të konkurruar në garën kryesore, me 3 kategori 35 filma, 5 prej të cilave janë prodhime shqiptare.

“Këtë vit nga 700 aplikime në kemi përzgjedhur 35 filma në garën kryesore që janë në garën ndërkombëtare, studentore dhe kombëtare. Janë 35 filma nga 28 vende të ndryshme të Botës: Filma fiksion, artistik, dokumentarë dhe ata të animuar. Janë shtete kryesisht të BE-së nga Franca, Italia, Kosova ,Spanja, Suedia Gjermani por kemi dhe filma nga Kina, Katari, Venezuela. Temat janë të ndryshme por filmat përzgjidhen në bazë të kualitetit të tyre”, tha Gledis Bica drejtor i festivalit. Drejtori artistik pati dhe një thirrje drejtuar institucioneve shtetërore për të shtuar vëmendjen tek aktivitetet kulturore.

“Ne shpresojmë shumë që institucionet shtetërorë të kthejnë vëmendjen shumë tek të gjitha aktivitetet kulturore që ndodhin në Shqipëri. Synimi i këtij festivali është që edukimi nëpërmjet filmit të shtrihet përgjatë gjithë vitit jo vetëm në finalizim të tij siç është festivali. Kemi nisur një projekt dhe të edukimit të nxënësve të Shkollave të mesme, dhe ky është një projekt ku lënda e Filmit dokumentar synojmë ta vendosim në orët mësimore”.