Kombëtarja shqiptare e të amputuarve do të marrë pjesë në turneun e Ligës së Kombeve, që do organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n në Skoci në datat 27-29 tetor.
Ky kompeticion do të funksionojë njësoj si ai i UEFA-s dhe organizohet për herë të parë për futbollin e të amputuarve, ndërkohë që ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në katër divizione sipas renditjes së tyre.
Çdo divizion përbëhet nga 4 ose 5 ekipe, të cilat do të luajnë ndeshje me sistem grumbullimi pikësh. Kombëtarja shqiptare e do të garojë në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë, kurse ndeshjet do të luhen në qendrën sportive Dalgety Bay, Fife, Skoci.
Skuadra e fundit në grup do të zbresë një divizion më poshtë, ndërsa skuadra që renditet e para do të ngjitet një divizion më lartë. Gjithashtu, turneu i Ligës së Kombeve është një shans për t’u kualifikuar për në finalet e Euro 2024 për të amputuarit.