Përdornin dhe shitnin doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në një lokal në afërsi të perimetrit të sigurisë të një gjimnazi, arrestohet një 20-vjeçar dhe procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Si rezultat i veprimeve intensive operacionale të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, u evidentua dhe u godit një rast i përdorimit dhe shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa, në një lokal në afërsi të perimetrit të sigurisë të një gjimnazi në qytetin e Shkodrës.
Për këtë rast u vu në pranga shtetasi E. S., 20 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, si dhe për shtetasit J. M., 22 vjeç dhe D. M., 33 vjeç.
Nga kontrollet në ambientet e lokalit, u kap në flagrancë, duke shitur dozat e cannabis sativës, shtetasi E. S. Shtetasit e proceduar në gjendje të lirë dyshohet se janë të implikuar në veprimtaritë kriminale të përdorimit dhe shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa, në këtë lokal.