Shkolla Speciale e fëmijëve me aftësi të Kufizuara në Durrës ka mirëpritur sot 101 fëmijë me nevoja specifike, 11 prej të cilëve dëgjuan për herë të parë zilen e shkollës mes emocionesh dhe pasigurish. Një shkollë e cila ofron kujdesin e këtyre fëmijëve në 7 orë të ditës, transportin dhe ushqimin falas ka bërë që sa më shumë prindër të lënë qytetet e tjera dhe të dërgojnë fëmijët e tyre në këtë institucion, duke u shprehur ndër të tjera se zhvillimi i tyre ka avancuar.

“Unë vij nga Kruja, kam 6 vite që e sjell vajzën në këtë shkollë“-shprehet një prind.
Po ku konsiston program mësimëdhënës për këtë kategori nxënësish?

“Fëmijët në shkollën tonë vijnë që ne periudhën e koptshit, deri në moshën 18 vjeçe. Programi është specifik për çdo fëmijë. Shikojmë veçoritë e çdo fëmijë”-shprehet drejtoresha Arta Nurçe Cercizi. Në Shqipëri ekzistojnë gjithsej 6 shkolla speciale për nxënësit me aftësi të veçanta, konkretisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Korçë. Ndërkohë që në Fier dy klasa në shkollën Liri Gero u përkasin nxënësve me aftësi specifike.