Presioni ndaj serbëve të Kosovës po vazhdon dhe vetëm brenda natës në fshatin Ranilluk janë gjuajtur tri granata dore brenda oborreve të shtëpive të tri personave nga ky komunitet.

Granatat e dorës janë gjuajtur në shtëpitë e personave të cilët janë zyrtarë në institucionet e Kosovës, saktësisht ndaj nënkryetarit të komunës së Ranillukës, drejtorit të Qendrës për punë sociale si dhe drejtorit të çerdhes.

Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në oborrin e shtëpisë të një personi nga komuniteti serb person-a të dyshuar të pa njohur kanë hedhur një mjet shpërthyes (granat dore).

Siç thuhet në raport si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në veturat të cilat ishin të parkuara në oborr.

“Fsh. Gllogoc, Ranilluk 22.09.2023 – 02:35. Në oborrin e shtëpisë së viktimës mashkull serb kosovar, person-a të dyshuar të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes (granat dore). Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në veturat të cilat ishin të parkuara në oborr. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, nuk raportohet për të lënduar, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Ndërsa, rasti i dytë po brenda natës është gjuajtur një tjetër granatë dore ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e viktimës.

“Ranilluk 22.09.2023 – 02:30. Në oborrin e shtëpisë së viktimës mashkull serb kosovar, person-a të dyshuar të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes (granat dore). Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e viktimës. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Nuk raportohet për të lënduar, rasti vazhdon të hetohet”, bëhet e ditur në raport.

Një tjetër granatë dore është hedhur në shtëpinë e një personi tjetër nga komuniteti serbë, mirëpo granata nuk ka kishte shpërthyer.

“Ranilluk 22.09.2023 – 02:30. Në oborrin e shtëpisë së viktimës mashkull serb kosovar, person-a të dyshuar të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes (granat dore), por ajo nuk kishte shpërthyer. Njësiti për deminim ka larguar mjetin shpërthyes nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raport.

E siç bëhet e ditur në raportin policor, të tri rastet janë duke u hetuar.
Ndryshe, ditë më parë pas presioneve nga Policia e Kosovës dhanë dorëheqje disa zyrtarë policorë. Për këtë që më pas pati reagime të shumta si nga liderët shtetërorë, por edhe nga ambasadorët e huaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në reagimin e saj pati thënë se frikësimi dhe shantazhimi i këtyre policëve po vjen nga Serbia.

Po ashtu edhe Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla kishte reaguar pas dorëheqjeve të zyrtarëve të rinj të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb.

Sveçla tha se zyrtarët policorë po detyrohen që të japin dorëheqje, e që Beogradi po dëmton qëllimisht komunitetin serb në Kosovë.

Edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se policët serbë në veri filluan dhe e përfunduan karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve.

E shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, kishte thënë se janë duke i ndjekur me shqetësim dorëheqjet e policëve serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës.

Ambasadori Jeffrey Hovenier pati thënë se Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikësime.