Paketa e sigurisë në shkolla këtë vit akademik parashikon rritjen e sigurisë së nxënësve jo vetëm në shkolla, por edhe në ambientet rreth saj dhe në akset rrugore që të çojnë në shkollë. Një rol të veçantë në këtë ka policia rrugore dhe ajo bashkiake që do të monitorojnë akset rrugore pranë shkollave dhe por edhe mjeteve që transportojnë nxënës.
“Se bashku me policinë bashkiake kemi bërë në plane masash në lidhje me ditën e parë të fillimit të shkollës. Do jemi në afërsi të shkollave e kryqëzimeve me shërbime për të ndihmuar trafikun e mjeteve e lëvizjen e këmbësoreve. Kemi bërë dhe fletushka për t’u a dhënë fëmijëve që të mësojnë si të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor”, u shpreh shefi i qarkullimit Besmir Qibini.
“Kemi 2 javë që kemi studiuar situatën dhe kemi analizuar problematikat e vitit të kaluar. Kemi marrë takime me drejtoritë e shkollave. Plani konsiston në shkollat vijat e bardha, moslejimin e automjeteve të transportit të përzier që krijojnë trafik. Marrim masa dhe për sigurinë e nxënësve gjatë procesit mësimor sepse ka mjaft tregtar ambulant që i afrohen mureve të shkollës, për të tregtuar produktet e tyre që janë të pa kontrolluara”, shprehet Ermal Kapllanaj, shefi i policisë bashkiake.
Për sigurinë e nxënësve një kujdes të shtuar duhet të kenë dhe prindërit apo shoferët e fugonave të cilët i transportojnë për në shkollë.
“Drejtuesit e fugonave të jenë të kujdesshëm në zbritjen e tyre në rrugëkalim deri në hyrjen e tyre në shkollë. Kjo këshillë vlen dhe për prindërit”, u shpreh Besmir Qibini. Që dita e parë e shkollës në kryeqytet të mos shoqërohet me trafik të rënduar apo bllokime në qarkullim policia rrugore dhe ajo bashkiake kane një apel.
“Të gjithë firmat ndërtuese dhe aktivitetet tregtare dhe qytetarët që duan të vijnë në Tiranë në ditën e parë të shkollës i bëjmë thirrje ta lëne makinën që të kontribuojnë në shmangien e trafikut”, shprehet Ermal kapllanaj.