Pritshmëritë e ndërkombëtareve ishin të larta, e takimi trepalësh në Bruksel u parapri edhe nga një paralajmërim i Josep Borellit, që palët t`i marrin seriozisht detyrimet e tyre, duke sinjalizuar kështu një lodhje të BE-së nga zvarritjet në implementimin e marrëveshjes, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Por as përballja e fundit nuk qe e suksesshme. Shenjat e para të dështimit të radhës do të lexoheshin që në fillim në fytyrat e vrerosura të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit të ulur si me zor përballë njëri-tjetrit. Në fund të takimi, kreu i shtetit serb e pohoi se negociatat me kryeministrin e Kosovës, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

“Ne të gjithë kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e pranuam propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi përfundoi pa rezultat”, tha Vuçiç. I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk i largohet detyrimeve të saj“, tha Vuçiç.

Të dy liderët zhvilluan paraprakisht takime të ndara me Borrell, dhe të dërguarin e bllokut, Mirosllav Lajçak. “Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borell më herët në platformën X. Boshtin e takimin e ka përbërë zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, me të cilën Kurti dhe Vuçiç ranë dakord në muajin shkurt, por pa firmosur asgjë.