Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se bie dakord me qëndrimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili tha se bota në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë Rusinë të “brutalizojë” Ukrainën pa pasoja.
Pas daljes nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Stoltenberg ka thënë se është thelbësore që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë ta dënojë Rusinë dhe ta mbështesë Ukrainën në luftë.
“Nëse nuk ngrihemi për Ukrainën, atëherë asnjë komb në botë nuk është i sigurt”, tha Stoltenberg.
“Askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo luftë, por me mbështetjen e NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar, Ukraina ka mundur ta shtyjë Rusinë prapa”, u shpreh ai.
Stoltenberg është pajtuar me Biden edhe për marrëdhëniet e Perëndimit me Kinën. Ai ka thënë se Kina nuk është kundërshtar i NATO-s, por marrëdhëniet e saj në rritje me Rusinë janë arsye bindëse për ta mbajtur Aleancën të bashkuar.