Një udhëheqës i ekstremit të djathtë “Proud Boys” që udhëhoqi marshimin famëkeq drejt Kapitolit në SHBA më 6 Janar 2021 është dënuar me 17 vjet burg, një nga dënimet më të gjata të dhëna deri më tani.
Ish-ushtaraku, Joe Biggs, 38 vjeç, ishte një “nxitës” i sulmit në Kongres më 6 Janar 2021. Joe Biggs u dënua nga një juri në Uashington, për disa akuza, duke përfshirë konspiracion dhe përpjekje për të parandaluar me forcë transferimin paqësor të pushtetit nga presidenti i atëhershëm Donald Trump te Joe Biden pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Një tjetër anëtar i grupit të ekstremit të dhjathtë “Proud Boys”, ish-marinsi Zachary Rehl, u dënua me 15 vjet. Biggs akuzohet për konspiracion, frikësim, kërcënim dhe kundërshtim në zbatimin e ligjit gjatë trazirave civile. Ai e shihte lëvizjen e tij si një revolucion të dytë amerikan, ku ai dhe patriotët e tjerë do të rimerrnin qeverinë me forcë.
Prokurorët përdorën mesazhe me tekst, postime në mediat sociale dhe video për të treguar se “Proud Boys” ishin përfshirë në një përpjekje të koordinuar për të ndaluar certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020 në Kapitol.
Që nga 6 Gushti, më shumë se 1,100 njerëz janë arrestuar në lidhje me trazirat, ku 630 prej tyre kanë pranuar fajësinë.