Një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare, në prag të dy ndeshjeve me Çekinë dhe Poloninë, është forma e mirë që po shfaqin lojtarët sulmues, paçka se jo të gjithë do të jenë të përfshirë në listën e Silvinjos.Silvinjo
Xhakomo Vrioni ka arritur të shënojë në SHBA një gol që vendosi fitoren 1-0 që Nju Inglënd mori ndaj Nju Jorkut në shtëpi. Sulmuesi shqiptar mori një pasim në mesin e fushës, që e nxori të lirë dhe pas 50 metrash sprint i vetëm përballë portierit ka arritur ta çojë topin në rrjetë, duke shënuar golin e fitores. Për Vrionin ky ishte goli i 6 sezonal, teksa shanset janë të ulëta që ai të grumbullohet këtë herë nga Silvinjo.
Ndërkohë, tjetër situatë për Seferin. Sulmuesi, i cili u transferua në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka shënuar sërish dje golin e katërt me ekipin e Bani Jas në duelin ndaj Xhazira Abu Dabi. Seferi do të grumbullohet nga braziliani për dy ndeshjet e shtatorit. Nuk mbaron me aq, pasi një tjetër sulmues kuqezi ka tundur rrjetën. Bëhet fjalë për Armando Sadikun, i cili ishte protagonist në fitoren që skuadra e tij Mohun Bagan realizoi ndaj Goa.
Në gjysmëfinalen e Kupës së Indisë, Sadiku shënoi golin e dytë për ekipin e tij, që ishte vendimtar për fitoren dhe kalimin në finale. Sa i përket një ftese, pritet që sulmuesi të sakrifikohet këtë herë, pasi mundësia është e madhe që të grumbullohet Arbnor Muja, Mirlind Daku apo një alternativë edhe Marvin Çuni.