Polonia ka fituar me shumë vuajtje përballë Ishujve Faroe me shifrat 2-0 falë golave të Levandovskit në pjesën e dytë të sfidës. Një fat i madh për polakët, të cilët ishin në vështirësi dhe u vërshëllyen nga tifozët e tyre në fund të pjesës së parë ku nuk dhuruan shumë gjëra në fushën e lojës, teksa edhe trajneri Fernando Santos u dha të drejtë mbështetësve.
“Mua nuk më pëlqeu pjesa e parë. Sjellja, qasja, mentaliteti po. Por nuk më pëlqeu padurimi që u shfaq me topa të gjatë vazhdimisht. Duhej të mendonim dhe të luanim topin në tokë disa herë. Përveç kësaj kishte mungesë ritmi, lëvizje, përshpejtimi, ndaj erdhën edhe vërshëllimat. Por unë e respektoj të drejtën që kanë tifozët për të shprehur emocionet e tyre. Ne duhet t’u japim lumturi tifozëve, ndaj ata kishin të drejtë të silleshin në atë mënyrë”, tha Santos pas sfidës.
Kjo fitore kthen Poloninë përsëri në garë për kualifikimin, me një sfidë vendimtare këtë të diel në Tiranë ndaj Shqipërisë, Trajneri Santos, ka kujtuar se sipas llogarive, Polonia mund t’ia lejojë vetes një barazim.
“Ne kishim 5 finale, një e fituam, kanë mbetur katër. Përndryshe, edhe me një barazim dhe me 4 fitore mund të shkonim në Europian. Por ne do të shkojmë në Shqipëri që të kërkojmë një fitore tjetër. Ne duam të bëjmë pjesën tonë, të mos pësojmë dhe pastaj të shënojmë gola”, tha tekniku portugez.