Të hënën u hap në Pekin Forumi i Transportit të Vazhdueshëm Global 2023. Tema e forumit është “Transporti i vazhdueshëm: Bashkëpunimi nxit zhvillimin global”. Afro 1000 pjesëmarrës në këtë forum nga brenda dhe jashtë Kinës diskutuan mbi ndërlidhjen, zhvillimin e përbashkët, risitë, ekologjinë dhe qeverisjen globale, duke shkëmbyer mendime lidhur me planet për transportin e vazhdueshëm.
Tani zhvillimi i gjelbër i komunikacionit dhe transportit në Kinë ka pasur arritje të dukshme. Deri në fund të vitit të kaluar, norma kombëtare e elektrifikimit hekurudhor ishte 73.8 %, ndërsa numri i autobusëve urbanë, taksive dhe makinave të shpërndarjes me energji të re arriti përkatësisht mbi 540 mijë, mbi 300 mijë dhe mbi 800 mijë. Ministri i Transportit i Kinës, Li Xiaopeng, vuri në dukje në forum se qasja e Kinës ndaj zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët, ngritja e një sistemi ekonomik të gjelbër dhe me karbon të ulët dhe nxitja e transformimit të gjelbër të përgjithshëm të zhvillimit ekonomik dhe social janë strategji afatgjatë për zhvillimit të vazhdueshëm.
“Ne duhet të nxisim ndërtimin e infrastrukturës së transportit të gjelbër, të nxisim aplikimin e energjisë së re e të pastër për të operuar makinat e anijet dhe të përmirësojmë efektshmërinë e përdorimit të burimeve. Ne duhet të përmirësojmë qeverisjen globale mjedisore, të reagojmë aktivisht ndaj ndryshimeve klimatike dhe të ndërtojmë një komunitet të jetës për njerëzimin dhe natyrë. Ne duhet të respektojmë parimin e transportit, të nxisim ndërlidhjen e të përshpejtojmë zhvillimin e integruar dhe kjo do të bëhet një zgjedhje e domosdoshme për nxitjen e zhvillimit e lulëzimit të përbashkët,” tha Li.
Në dhjetor 2021, linja hekurudhore Kinë-Laos filloi funksionimin. Kjo është hekurudha e parë ndërkombëtare me investime kineze dhe me lidhje direkt qysh prej paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”. Ajo përbën një rast simbolik, sepse ka vendosur standardin për ndërtimin infrastrukturor në mënyrë të gjelbër dhe ka promovuar konceptin e tregtisë dhe bashkëpunimit të gjelbër, duke luajtur rol nxitës për zhvillimin e gjelbër të ASEAN-it, shkruan CMG
Ministri i projekteve publike dhe transportit i Laosit, Ngampasong Muongmany, tha: “Kjo lindje hekurudhore (Kinë-Laos) ka sjellë shumë të mira për popullin laosian dhe ka formuar rrjete të shumta transporti, duke nxitur zhvillimin urban dhe duke promovuar investimet në rajon. Në të njëjtën kohë, ajo është bërë gjithashtu një portë strategjike, duke i lejuar rajonit ta përdorë më mirë këtë korridor për të ulur lëshimet e dioksidit të karbonit dhe për të lidhur ngushtë Laosin me tërë rajonin. Ky është drejtimi i duhur për zhvillimin e vazhdueshëm”
Krahas zhvillimit të gjelbër, edhe bashkëpunimi ndërkombëtar i Kinës në fushën e komunikacionit dhe transportit është thelluar vazhdimisht. Tani, trenat e mallrave Kinë-Europë arrijnë në më shumë se 200 qytete në 25 vende dhe rajone të Europës, ndërsa marrëveshjet ndërkombëtare të bashkëpunimit mbi transportin rrugor janë zgjeruar në 21 vende. Transporti ndërkombëtar ujor mbulon mbi 100 vende e rajone dhe aviacioni civil mban transport të rregullt pasagjerësh dhe mallrash me 64 vende. Shërbimet e postës së shpejtë mbulojnë mbi 220 vende dhe rajone.