[NJOFTIM PËR MEDIA]
23 Shtator, Berat-
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka vijuar turin e dëgjesave publike me një bashkëbisedim të hapur me mësuesit e Shkollës 9- vjeçare “Xhemal Çekini” në Uznovë, Berat.
Ministrja Manastirliu theksoi se ndër prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është promovimi i arsimit profesional, me hartimin e një programi të dedikuar në mbështetje të fëmijëve që zgjedhin arsimin profesional.
“Jemi duke hartuar një program të madh ndërgjegjësimi përsa i përket zbulimi të talentit dhe prirjeve të fëmijët kur ato kanë prirje për zanat për profesion apo talente të cilat duhen identifikuar që në moshë të hershme”, – theksoi Manastirliu.
Ministrja Ogerta Manastirliu ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjithë komponentëve dhe strukturave, me qëllim përmirësimin më tej të kurrikulave e programeve.
“Jam e bindur që vetëm duke qëndruar si një, jo të shkëputur, ministri, shkollë, drejtori e arsimit parauniversitar, zyrë vendore arsimore, mësues, prindër, komunitet, nxënës, do të mundemi të bëjmë më të mirën për shkollën, përsa i përket pasurimit të kurrikulave jashtëshkollore, por edhe të rishikimit në momentin e duhur të kurrikulave aktuale, në raport me përfshirjen e teknologjisë, TIK”,- tha Manastirliu.
Nga zgjerimi i bazës didaktike, tek angazhimi i mësuesve përtej orarit mësimor dhe metodat moderne të mësimdhënies, ishin pikat ku u përqëndruan sygjerimet dhe kërkesat e mësuesve të shkollës “Xhemal Çekini” në Uznovë. Në shkollën 9 vjeçare “Xhemal Çekini” në Uznovë mësojnë mbi 300 nxënës dhe japin mësim 27 mësues.
Ministrja Manastirliu, do të vijojë bashkëbisedimet e hapura me prindër, mësues dhe nxënës në të gjitha shkollat, për të marrë sugjerime dhe për të ndarë problematika, me qëllim përmirësimin më tej të sistemit arsimor në vend.