Futbollisti i Nice në Francë, 22-vjeçari Alexis Beka Beka po tenton të hidhet nga lartësia e një ure në qytetin e Nicës. Futbollisti që bën pjesë edhe te moshat U-21 të Francës është ngjitur mbi një urë të lartë dhe po kërcënon me vetëvrasje, teksa diçka e tillë vjen pas ndarjes nga e dashura.

Sipas Actu Foot, shkak i tentativës për vetëvrasje është bërë ndarja e Beka Bekës nga vajza me të cilën ishte dashuruar. Ndërkohë që urgjenca, policia dhe zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje, ekspertët vazhdojnë negociatat për të bindur lojtarin që të zbresë nga lartësia e urës dhe të mos marrë aktin ekstrem.

Edhe klubi i tij, Nice, ka dërguar në vendngjarje një psikolog për të bindur lojtarin. Shokët e futbollistit francez po tentojnë të kontaktojnë me ish të dashurën e tij, për të folur me futbollistin.

Mesfushori i lindur në vitin 2001, Beka Beka ka nënshkruar kontratë me Nice në qershor të vitit 2022, klub i cili pagoi 14 milionë euro për kartonin e tij. I lindur në Paris, 22-vjeçari luajti 14 ndeshje sezonin e kaluar (ende zero paraqitje këtë sezon). Karriera e tij përfshin gjithashtu një përvojë në Rusi me Lokomotivën e Moskës dhe te Caen, klubi ku ai u rrit. Duke qenë prej vitesh pjesë e kombëtares franceze, mesfushori mori pjesë edhe në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2021.