Mediat kolumbiane kanë publikuar detaje interesante nga arrestimi i narko-trafikantit shqiptar Besnik Nikolli alias Niko ose “El Gordo” në qytetin e Bogota pak kohë më parë.
Ai konsiderohet si një bosët më të mëdhenj të drogës.
Sipas një reportazhi të mediave vendase, efektivët e Dijín (Drejtoria e Investigimit Kriminal dhe Interpol” kishin mësuar për zhvillimin e një mbledhjeje mes kokave të trafikut të kokainës që mesa duket ishte iniciuar nga shqiptari.
Nikolli kishte vendosur t’u jepte fund përplasjeve me grupet e tjera dhe kishte thirrur në një takim trafikantë nga Spanja, Holanda, Meksika, Shqipëria dhe Kolumbia.
Takimi zgjati tre ditë dhe agjentët e policisë i vunë nofkën “Samiti i drogës”.
Në filmime shihet se në këtë kanë marrë pjesë edhe krerët e një bande tjetër të fuqishme shqiptare, Lirido Shkurtaj alias Lirido Ajazi alias “Mario”. Edhe ai u vu në pranga.
Pas arritjes së marrëveshjes për dërgimin e 1 ton kokainë në Francë ata vendosën të festojnë. Shkuan në një nga lokalet e natës në Santa Marta dhe Besnik Nikolli urdhëroi mbylljen e tij për klientët e tjerë duke e vënë në shërbim të vetëm bosëve të drogës.
Ky ishte edhe gabimi pasi tërhoqi shumë vëmendje tek autoritetet që deri në atë moment nuk e dinin ku po zhvillohej “Samiti i drogës”.
Pas daljes nga lokali, narkotrafikantët u mbajtën nën vëzhgim dhe 6 prej tyre u arrestuan. Pamjet janë bërë nga një person i infiltruar Dijín. Ky person mësoi se në takim trafikantët e drogës kërkonin të eliminonin ndërmjetësit për të blerë drogën në Kolumbi dhe në këtë mënyrë ta çonin më lehtë në Evropë. Sipas hetuesve, trafikantët e lartpërmendur të drogës “përdorin identitete të rreme”.