Nga Dritan Hila

Në një botë normale gjithkush do çuditej pse Greqia ka hedhur gjithë bateritë në luftë për të marrë një bashki për të cilën kanë votuar në favor të kandidatit të saj katër mijë votues. Nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut e as me parimet e demokracisë pasi janë një fushë që ky shtet i njeh vetëm në teori. Është e gjitha një plan më i gjerë, tipik si skedinat e futbollit ku ti fut vetëm një grusht lekë për të fituar një thes prej tyre.

Greqia nuk ka hallin e Belerit. Për të, Beleri vlen po aq sa një ushtar në fushën e shahut. Ajo po luan fort sepse i ka ardhur një shans i rrallë në dorë që vështirë të vijë prapë. Furia e investimeve shqiptare në zonën e bregut ka ngjallur probleme pronësie me vendasit dhe jo vetëm me ata që quhen grekofonë, por edhe me shqiptarët e pastër. Krahas shkrehjes se socialistëve që e quanin një fitore të sigurt në një zonë e cila përfshinte edhe fshatra të thekura shqiptare, por që për inat të Gjergji Goros vajtën të flinin me Fredi Belerin ose nuk votuan fare; shto edhe votat e opozitës që po shikonte rastin që pesë bashkive të saj të mjera t’i shtonte edhe një të gjashtë pavarësisht kostove afatgjata, bënë që 2.500 votat historike të grekofonëve të shkonin në 4.000. Fredi Beleri fitoi me 19 vota, vota që për Athinën janë flori. Me vetëm një grusht votash ajo fiton një bashki, e cila fillon nga Qafa e Llogarasë dhe përfundon në Sarandë. Aty lidhet me komunën e Finiqit dhe pastaj me atë të Dropullit duke krijuar një njësi kompakte territoriale që shtrihet pikërisht tek ajo zonë që pretendohet nga grekët si Vorio Epiri.

Duket si fantazi? Aspak. Greqia punon me plane afatgjata dhe këmbëngulëse. Kush e mendonte para 30 vjetësh se Himara do bëhej një vatër konflikti? Kush e mendonte se në vitin 2023 elementi shqiptar do frikësohej në këtë zonë nga një tufë fekalesh shoviniste dhe gjakprishur? Kush e fantazonte se pas 30 vitesh nga rënia e komunizmit elementi mysliman shqiptar do quhej nga këta tipa si “turk”? E pra ka ndodhur.

Në kohën e komunizmit kur qenia minoritet kërkonte pasjen e njërit nga prindërit të kombësisë greke, vendi kishte 120 mijë minoritarë. Sot ato fshatra janë pothuajse të zbrazura dhe vështirë se do rimbushen, por agjenda greke ka përparuar sikur këta janë dyfishuar dhe jemi në kohën kur pranohet si normale që një person nëse ndihet grek mund të quhet grek. Natyrisht një çmenduri për botën normale por aspak për të fandaksurit nga shovinizmi.
Pavarësisht politikës së Ramës për zero probleme, me Greqinë funksionon vetëm realpolitika. Është e vështirë në një vend ku Ilir Meta i jep shtetësinë Janullatosit që e ka kthyer Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare në një repart sulmi të politikave greke, apo të një opozite që e ul çdo ditë çmimin e vet të blerjes, vetëm që t’i fusë stërkëmbësa qeverisë. Nga ana jonë duhet ngritur me forcë çështja çame, të larguarit me forcë pas luftës së fundit, të burgosurit me gjyqe fake, të drejtat e njeriut, emërtimet e fshatrave, ringjallja e gjithçkaje që është shqiptare. Zbythja shqiptare në këtë rajon merret për dobësi. Shqipëria ende është shtet i varfër por nga një përplasje me Greqinë më shumë humb kjo e fundit. Humbin biznesmenët e saj që kanë investuar këtu, humbin minoritarët e saj dhe shumë më pak shqiptarët. Për fat tashmë pesha kryesore e emigracionit shqiptar është zhvendosur në Itali, Gjermani dhe Amerikën Veriore, kështu që operacioneve fshesa të Greqisë u mbetet vetëm bishti në dorë. Shqipërisë, kroatëve dhe bullgarëve u ka ardhur në majë të hundës me fodullëkun dhe arrogancën helene. Ka ardhur koha që edhe grekët të ndihen të barabartë./dritare.net