Në ndeshjen e ardhshme, atë ndaj Portos në Champions League, trajneri Xavi Hernandez do të drejtojë Barcelonën për herën e 100-të.
Gjatë këtyre sezoneve nën drejtimin e tij, katalanasit kanë arritur disa suksese ku sigurisht spikat rikthimi te titulli i LaLiga-s sezonin e kaluar. Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Xavi tregon edhe disa nga fitoret më të veçanta të tijat në këtë periudhë, si dhe kundërshtarët më të vështirë ndërsa në fund nuk harron edhe një kompliment për Interin.
Ndeshja më e mirë- “Triumfi në Supekupë ndaj Real Madrid. Ishte titulli ynë i parë, e fituam ndaj Realit dhe ajo ndeshje reflektoi më së miri idetë mbi atë që dua të praktikoj në fushë”.
Fitorja më e veçantë- “Derbi i sezonit të kaluar ndaj Espanyol, aty fituam LaLiga-n dhe ishte e veçantë sepse e arritëm në shtëpinë e rivalëve të qytetit. Ishte një nga ndeshjet tona më të mira”. Disfata më e rëndë- “Humbja 0-3 në shtëpi përballë Bayern Munich në Champions sezonin e kaluar, ishte një disfatë që na nxorri përfundimisht nga llogaritë e kualifikimit”.
Rivali më i komplikuar- “Real i Madridit është gjithnjë një kundërshtar i vështirë, Bayerni po ashtu”. Lojtari më i vështirë për ta ndalur- “Rashford na hapi shumë punë. Po ashtu edhe Vinicius Junior me Benzema”.
Lojtari që ju ka surprizuar më shumë- “Do të ishte e padrejtë që të veçoja vetëm një prej tyre. Unë preferoj një miks mes veteranëve dhe mentalitetit të të rinjve. Por, ajo që më pëlqen të veçoj është aspekti njerëzor tek të gjithë lojtarët”. Stadiumi, apo rivali që ju pëlqen më shumë- “Atletico, Betis, Sevilla, janë fusha në të cilat ndjehet një atmosferë e shkëlqyer”. Kundërshtari që ka interpretuar skemën në mënyrën më të mirë- “Interi me 5-3-2, e interpretuan shumë afër perfeksionit”.