Është mbajtur në Elbasan worshop-i mbi transformimin e ndryshimeve klimatike, i cili vjen si pjesë e misionit për 100 qytetet e gjelbra të Bashkimit Europian. Me synimin e madh për të ndryshuar të kaluarën historike të ndotjes së mjedisit, Bashkia e Elbasanit është bërë pjesë e këtij projekti duke synuar nxitjen e një klime miqësore me mjedisin. “Kontrata jonë klimatike qaset në 5 pika kyçe, ku e para është transporti, e dyta është mënyra e të menduarit green, e treta është urban plan, projektimi i godinave të reja dhe menaxhimi i mbetjeve. Një nga projektet tona më ambicioze është të arrijmë të prodhojmë energjinë që harxhojmë në qytet nëpërmjet mënyrave efikase të prodhimit të energjisë pa impakt në mjedis”, u shpreh kryetari i Bashkisë Elbasan. Të flasësh për neutralitet klimatik në një qytet të vështirë si Elbasani, është për t’u vlerësuar dhe përgëzuar tha ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila shtoi se Shqipëria nuk ndryshon dot klimën e botës, por është viktimë e saj.
“Unë mendoj, që jo vetëm në Shqipëri, ka ende një hendek shumë të madh mes strategjive dhe realitetit. Dhe prandaj e vlerësoj shumë iniciativën e bashkisë së Elbasanit që e merr këtë angazhim në një bashki shumë të vështirë, që nga fakti historik që e ngarkoi me një industri të rëndë që sot ja ka lënë mbi shpinë. Sot falë rivlerësimit të pasurive natyrore kjo bashki po merr një vëmendje turistike e natyrore”, u shpreh Kumbaro.
Ndryshimet klimatike kërkojnë kosto të mëdha dhe mbështetje të madhe theksoi Drejtori i Projekteve të 100 qyteteve të gjelbra Patrick Child i cili vuri në dukje rolin thelbësor që ka qeveria qendrore.
“Përgëzoj Shqipërinë, përgëzoj Elbasanin që kanë bërë bashkë kaq shumë njerëz të cilët punojnë së bashku për sfidat e misionit të qyteteve të gjelbra. Mendoj që gjëja më e rëndësishme është se misioni i qyteteve është një shprehje praktike e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane në planin lokal”, u shpreh drejtori i projektit Patric Child.
Në takimin i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, morën pjesë dhe ndanë eksperiencat dhe projektet e tyre dhjetëra bashki të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa edhe një herë u theksua rëndësia e përfshirjes së sa më shumë qyteteve në misionin e madh të neutralitetit zero në mjedis.