Real Madrid synon një tjetër talent nga Bundesliga. Pasi fitoi garën me Manchester Cityn për shërbimet e Jude Bellingham, për të cilin pagoi 103 mln euro te Dortmundi, Florentino Perez ka hedhur vështrimin nga Bayern Munchen. Skuadër ku luan një futbollist që e ka bërë për vete prej kohësh, pavarësisht se është ende 20 vjeç. Jamal Musiala po shndërrohet gradualisht në yllin e kampionëve të Gjermanisë.

Shtypi gjerman shkruan se “Los Blancos” po përgatitin një ofertë prej 110 mln eurosh për kartonin e lojtarit ofensiv. Musiala, i cili numëron mbi 130 ndeshje me bavarezët pavarësisht moshës së re, ka kontratë deri në 2026. Bisedimet në lidhje me rinovimin janë ndërprerë, pasi trajneri Thomas Tuchel nuk e konsideron një titullar të padiskutueshëm. Lojtari ka luajtur vetëm katër ndeshje si titullar mes kampionatit dhe Champions League.

Agjenti dhe vetë Musiala janë shprehur se duan të presin për momentin, ndërkohë që ka kohë sipas tyre për të vendosur në lidhje me zgjatjen e bashkëpunimit me Bayernin.
Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Reali, që do të bëjë gjithçka për të siguruar shërbimet e talentit gjerman në fundin e sezonit. Por, kujdes! Pasi edhe Jurgen Klopp e vlerëson shumë Musialën dhe dëshiron ta ketë pjesë të Liverpoolit të tij në të ardhmen.