Bellingham, i vlerësuar si njeri i ndeshjes. Napolitanët e nisën sfidën “zjarr”, në sulm, ku kaluan në avantazh në minutën e 19-të me Ostigard. Në të 27-të, Bellingham dhuroi një asist të pastër për Vinicius Jr që i vetëm në zonë dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1. Pak minuta më pas, me një aksion personal, Bellingham dribloi këdo që i doli përpara duke përmbysur rezultatin.
Në fillimin e pjesës së dytë, Osimhen fitoi një 11-metërsh, për prekje të topit më dorë në zonë. Nga pika e bardhë, Zielinski u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 2-2. Spektakli nuk përfundoi këtu, pasi në minutën e 78-të, Valverde me një predhë nga distanca, gjeti dhe devijimin me fat të portierit Meret duke i dhuruar Realit fitoren në “Maradona”, një trepikësh me shumë peshë që i jep ekipit spanjoll kreun e Grupit C në kuotën e 6 pikëve.
“Ishte një ndeshje e luftuar, shumë e bukur. Bëmë më mirë në pjesën e parë, në të dytën na vendosën në vështirësi, por arritëm të merrnim kontrollin. Pavarësisht se Napoli luajti mirë, në fund ne e merituam fitoren”, u shpreh Carlo Ancelotti pas ndeshjes. Nuk e mendon në këtë mënyrë trajneri Rudi Garcia: “Nuk mendoj se ishte rezultati i drejtë, meritonim të paktën një barazim. Luajtëm si të barabartë kundër një skuadre të madhe”, theksoi trajneri i Napolit.
5 gola u shënuan edhe në sfidën tjetër të këtij grupi. Braga befasoi Union Berlin brenda në Gjermani, për më tepër arritën të përmbysin avantazhin e dyfishtë. Në përfundim të sfidën, portugezët dalin me tre pikë pas suksesin 2-3.