Pas arrestimit për korrupsion dhe pastrim parash në privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, edhe ish-kryeministri Sali Berisha është vënë nën masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”, si dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit.
Detyrim për t’u paraqitur me dyshimet e përfshirjes në korrupsion, u caktua nga gjykata edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërtues dhe bashkëpronar i ndërtimeve të bëra në ish-Kompleksin “Partizani”.
Mësohohet se policia ka mësyer te zyrat e kompanisë “Kontakt” të Fatmir Bektashit dhe që mbrëmjen e djeshme është stacionuar te zyrat te Mangalem 21.
Me kërkesë të prokurorëve të SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dhe me aprovimin e Gjykatës së Posaçme, vunë në pranga Jamarbër Malltezin, i cili ndër të tjera akuzohet edhe për pastrim parash.
Malltezi u ndalua në aeroportin e Rinasit ku po priste bashkëshorten e tij që kthehej nga një vend i Bashkimit Europian. Në vendimin e lëshuar nga gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka, SPAK gjithashtu vuri në sekuestro edhe pasuritë në pronësi të Malltezit.
Hetimet për këtë dosje nisën pas kallëzimit të bërë në SPAK në 2020-ën nga Taulant Balla, sot ministër i Brendshëm, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në kallëzim Balla pretendonte se ish-kompleksi Partizani u privatizua në vitin 2009 në dëm të interesave të shtetit me një çmim më vogël se reali.