Nga Ylli Pata

Myslim Murrizi, ish-nënkryetar Parlamenti dhe deputet disa herë i PD-së, kishte arsye kur thirri në skenë karmën për ta vënë si pasqyrë në mjedisin toksik që ka kapluar opozitën shqiptare.

Në vitin 2019, Murrizi nuk pranoi të djegë mandatet. Çfarë nuk i thanë; si kupola e PD-së, ashtu edhe mbështetësit mediatikë. Nuk kaloi shumëkohë, më pak se 2 vjet, e të gjithë VIP-at e opozitës e quajtën operacionin e djegies së mandateve një budallallëk. Sot, disa prej eksponentëve të lartë të opozitës quajnë fajtor Mcgonigalin, a thua se ai i fryu në vesh.

Ata jo vetëm dogjën mandatet, por bojkotuan edhe zgjedhjet lokale, sulmuan Parlamentin e qeverinë, si dhe aktivizuan një rrjet propagande para shumë për të bombarduar mazhorancën. Synimi ishte i qartë, s’do mend e kalem, rrëzonin qeverinë e zgjidhje politike në tavolinë.

Disa i kanë harruar por disa jo valangën e Bildit gjerman që merrej me Dibrën, afera Babale me synim për të rrëzuar Fatmir Xhafën nga posti i ministrit të Brendshëm, e kur më pas erdhi Sandër Lleshaj, ranë nga shiu në breshër. E quajtën Sandër Kimiku, si pasojë e gazit lotësjellës në protesta.

Ne nisjen e luftës civile brenda PD-së, pas shpalljes së Sali Berishës Non Grata prej SHBA-së, arma e vetme që përdoret është ajo toksike. Pra helmimi i opinionit publik me fjalë e argumente sa më të rënda, vetëm e vetëm që të largojë logjikën, arsyen, ftohtësinë, e më së shumti intersat që të udhëheqin zhvillimet politike.

E gjitha kjo bëhet pikërisht nga njerëz që nuk kanë fuqi reale politike në territor, ose e kanë atë relative. Foltorja për shembull, është vërtetuar se nuk është factor politik as gjithëpërfshirës, as përfshirës, por as edhe vendimtar aty ku janë bastionet e së djathtës. Gaz Bardhi, sot është një person politikisht apatrid; i urryer nga strukturat e PD-së dhe po ashtu nga foltorja, përveçse e përdor doktori prej funksionit dhe numrave të deputetëve.

Rasti i Kullave, ku në media, kryesisht në media nga gazetari Mero Baze, u publikuan fakte të lidhjes së Sali Berishës me një konsorciium që po ndërton kullën më të madhe në Tiranë, ishte një bombë e madhe për foltoren. Por ishte e tillë, ngaqë kishte fakte të forta që lidhnin djalin e Berishës me investitorin kryesor në kullë.

Të bllokuar nga mungesa e takatit politik, e pamundshme për të bërë luftë politike normale, përdoren metodat fanatike e guerrile, si propagandë apo luftën politike.

Në një farë mënyre siç ndodh me Hamassin. Një forcë relative në territoret palestineze që lindi pas marrëveshjes Rabin-Arafat. Hammas, edhe pse ka mbështetës, madje edhe të etdhshëm, ajo nuk ka arritur të përfaqësojë shumicën e popullit palestinez, përndryshe do të kishte pasur me kohë sukseset e saj. Hamas është një fraksion që lëviz me urdhër, e financime nga Irani, një aleat tjetër i Moskës.

E gjitha që ndodhi sot, qëllimin e kishte që të sabotohet pakti i rëndësishëm i Lindjes së Mesme, ai mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Me një fjalë nuk se fitojnë gjë palestinezët, por sulmohen sauditët. Duke vrarë izraelitë dhe palestinezë. Kështu mund të shpjegohen edhe shkaqet e pasojat e luftës toksike që kemi ne brenda politikës sonë.