Avokati dhe politikani serb Cedomir Stojkoviç në një intervistë për Report Tv tha se Rusia ka shumë ndikim në Serbi e se madje emëron krerët e shtetit atje. Sipas avokatit serb, nëse ikën Vuçiç, Rusia ka gati pasardhësin e tij.
‘Rusia nuk ka gjë tjetër përveç naftës për të krijuar influencë në disa shtete. Po ta shikoni kultura europiane është që njerëzit duan të jetojnë mirë, apartamente të mira, të udhëtojnë, të kenë makina etj, por Rusia nuk e ofron dot, pra ka stil tjetër jetese. Prandaj, Rusia dhe agjenturat e saj në botë, gjejnë persona që kanë dellin të kthehen në diktatorë. Rusia i zbulon këta persona dhe i vendos në pushtet. Në rastin e Serbisë nuk është e vështirë, sepse Serbia është e vogël, Rusia është e madhe.
Do ju jap një metaforë, nëse një shitës droge i jep drogë një fëmije, një i madh, në rastin konkret SHBA, do e godasin në fytyrë. Por në shtete si Sllovakia apo Serbia, kjo influencë e Rusisë nuk mund të luftohet pa ndihmën e Perëndimit që duhet të investojë shumë në burime inteligjente në Serbi apo Sllovaki, për t’i ndihmuar këto shtete të luftojnë influencën ruse. P.sh, nëse Vuçiç ikën nga pushteti, Rusia e ka gati zëvendësuesin menjëherë dhe do ta vendosë dhe mbajë në pushtet. Prandaj ne duhet ta ndalojmë këtë proces problematik. Kjo është arsyeja se përsa na duhet kaq shumë NATO.’- tha avokati.