Nga Jakin Marena/
Partia Demokratike po e vuan në mënyrë tragji-komike ndarjen e saj ne tre pjesë së paku dhe kjo po tregohet çdo ditë e më shumë në sytë e publikut shqiptar. Madje dhe në mes të sallës së Parlamentit, tre grupet e PD, të kryesuar nga Lulzim Basha, Sali Berisha dhe në mes si ‘sanduiç’ Gazment Bardhi, treguan se konflikti dhe armiqësia mes tyre ka hyrë aq thellë, sa arritën që dhe një seancë parlamentare për miratimin e një rezolute që dënonte aktin terrorist serb të 24 shtatorit në veri të Kosovës, me pasojë vrasjen e një polici shqiptar, ta kthenin në një arenë akuzash dhe sulmesh, për ‘kullat’ respektive që disponojnë palët në PD. Një tregues i qartë se për lidershipin e 3 grupimeve në PD, s’ka asnjë rëndësi çështja kombëtare, halli që ka zënë Kosovën për shkak të sulmit të terroristëve serbë të sponsorizuar dhe mbështetur rëndë nga Milosheviçi por dhe për arsye të papjekurisë e delirancës së klasës qeverisëse politike në Kosovë të kryesuar nga Albin Kurti, i cili po bën luftë me ndërkombëtarët. Madje Kurti u lëshon dhe ultimatume, sikur ata ia kanë për borxh shërbimin liderit të Vetëvendosjes.
Në tre PD-të nuk ka rëndësi as halli i demokratëve shqiptarë që të gjendur në kaos po pakësohen në progresion arithmetik dhe kanë bojkotuar rëndshëm kutitë e votimit, duke e tkurrur dhe më shumë opozitën përballë një mazhorance solide qeverisëse të kryesuar nga Edi Rama. Madje nuk ka rëndësi as realizimi i misionit për të bërë opozitë dhe për të qënë alternativë pushteti. Tashmë në PD janë të gjithë kundër të gjithëve dhe për më tepër që Berisha ka ‘shtuar forcat’, jo në bazë se aty s’ka lëvizur balanca shumë, por në Kuvend për të sulmuar Lulzim Bashën, edhe përmes kalimit të “ylberit’ nga Gazment Bardhi dhe një pjesë e deputetëve demokratë, që i janë bashkuar ish kryeministrit të shpallur ‘non grata’ tek “Foltorja”. Megjithëse me 8 janar, ‘luftuan’ me shkop në dorë për të mbrojtur selinë e blinduar të PD buzë Lanës, nga ‘hordhitë’ e Berishës, që ishin armatosur me vare, qyski dhe mjete të tjera rrethanore, në përpjekje për ta pushtuar. Pavarësisht se e dinë qartësisht se me Berishën nuk vihet në pushtet jo vetëm se s’ka mbështetjen e duhur për të marrë votat që do të dilnin mbi Partinë Socialiste për të marrë në dorë qeverisjen e vendit, por dhe se partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë prerë ‘biletën’ pa kthim në drejtimin e kundërt të pushtetit, atij e grupimit që drejton, për sa kohë të jetë Berisha në krye të “Foltores”.
Vetëm për këtë fakt, demokratët dhe shqiptarët janë të bindur se dhe kalimi i Bardhit në drejtim të Berishës, pavarësisht akuzave të forta që ka lëshuar në drejtim të ish liderit të PD, akuza që për hir të së vërtetës Berisha nuk i harron kurrë dhe herët a vonë do hakmerret, pra janë të bindur se kjo lëvizje nuk ka asnjë qëllim bashkimin e PD dhe ardhjen në pushtet por bëhet thjeshtë e vetëm për të rritur shpresat e për të garantuar një karrige deputeti në mandatin e ardhshëm. Ndryshe nuk ka si shpjegohet lëvizja nga një grupim që mbështetet nga SHBA, BE dhe Britania drejt një grupimi që aleatët tanë e kanë shpallur ‘non grata’. Pra nuk kanë hallin e demokratëve Berisha, Bardhi dhe të tjerët por vetëm hallin e karrigës së tyre. Berisha ka dhe hallim për të bërë si i fortë përballë aleatëve e drejtësisë për hallet personale që e kanë zënë, me gati tërë familjen që po i ‘parakalon’ para drejtësisë si dhe me izolimin e thellë deri dhe në rajonin tonë që i kanë bërë, sa askush nuk i jep as dorën. Në ‘tabelë’ është vënë Lulzim Basha, kreu zyrtar i PD, i cili po kërkon që të jetë dhe kryetar i grupit parlamentar, por në mënyrën më absurde dhe të pangjarë deri më sot në politikën shqiptare dhe më gjërë, është Bardhi që deklarohet i tillë, madje dhe sekretar i përgjithshëm i PD, paçka se është i shkarkuar. Të paktën deri në një vendim të ri të gjykatës që merret me njohjen e akteve të një partie politike, apo e ‘përkthyer’ në gjuhë më të thjeshtë, derisa të vendoset për vulën.
Në çdo vend të botës, madje dhe të ashtuquajturës botë e tretë, nëse një grup deputetësh, qoftë dhe shumicë, nuk njeh vendimet e strukturave e forumeve zyrtare të partisë të cilën përfaqësojnë, janë zgjedhur dhe me listë të ‘bekuarit’ s’janë përballur vetë në mazhoritar me kundërshtarin për të marrë mandatin e deputetit nga mbështetja e qytetarëve, pra nëse nuk njeh lidershipin që ka vulën e përfaqëson partinë në gjykatë, atëherë ka dy rrugë: ose i bashkohesh një grupi tjetër parlamentar ose themelohet një parti e re dhe sipas procedurave bën grupin e vet parlamentar, sipas ideve dhe platformmave që ata afishojnë dhe besojnë. Por të shkosh e të bashkohesh me një grup deputetësh të cilët quhen të PD, por që përfaqësojnë “Foltoren” e Berishës, pa emër sepse nuk është parti kjo lëvizje, të mbështesësh në dy palë zgjedhje vendore një parti tjetër politike siç është Partia e Lirisë së Ilir Metës, që ka brenda dhe vetë Foltoren e Berishës, dhe të deklarohesh se je kryetar i grupit parlamentar madje dhe sekretar i Përgjithshëm i PD, askush nuk mund të japë shpjegim. Vetëm Gazment Bardhi e kupton këtë ‘ekuacion’, por që nuk ka arritur ende deri më tani ta shpjegojë. Vetë Basha deklaron se me ata deputetë që ka, dhe që sipas ligjit dhe rregullores së Kuvendit formaton një grup parlamentar, ka deleguar dhe kryetaren e grupit shkrimtaren Flutura Açka, përfaqëson PD dhe i bën thirrje dhe kryetares së Kuvendit që të miratojë vendimin e strukturave të PD që kanë zgjedhur atë kryetar grupi vetë kreun e PD. Pasi grupi është i PD e jo i Foltores. Më thënë të drejtën Basha ka nisur të dalë në bazë dhe të shpalosë platformën e PD, ka kërkuar ndryshim të ligjit zgjedhor, ka kërkuar vetting të deputetëve dhe të politikës, lista të hapura, mbështet SPAK-un dhe ndoshta këtë e bën dhe më shumë për inat të Berishës, i cili është i zhytur në akuza dhe në një vend me drejtësi normale duhej të kishte dhënë llogari para drejtësisë së re, si dhe po bën luftë në parlament. Kur të vetët ia ‘devijojnë’ në përplasje për punë kullash.
Nënvizuam se është një situatë vuajtjeje tragji-komike kjo që po ndodh në PD sepse praktikisht vendi është pa opozitë. Por dhe ajo pak që ka mbetur po na habit me ‘perlat’ që nxjerr nga goja, me lëvizjet që na prezanton, dhe me kalkulimet e vogla mes vetes, që nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm argëtojnë publikun. Madje kanë futur në hall dhe analistët apo moderatorët që i mbështesin, dhe mirë bëjnë që i mbështesin sepse dikush duhet t’ua japë ‘një dorë’ se ka nevojë vendi për opozitë, pasi këtë opozitë nuk ke ku ta kapësh as për ta mbrojtur. Copë copë me një fjalë. Dhe kur dëgjon që dhe Bardhi, një prurje 100 përqind e Bashës që e bëri në fillim ministër teknik Drejtësie në bashkëqeverisjen 6 mujore me Ramën dhe më pas numrin dy të PD si Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, teksa deklaron se “Lulzim Basha ka qënë bashkëpunëtori im”, është ku thërret kiameti. Dhe formalisht nuk mund t’i thuash një gjë të tillë, madje as Lulzim Basha, ka një mijë kusure që nga dembeli funksional e deri te ‘qylaxhiu’ më i madh i cili qëndroi për 16 vite afër Berishës, si ministër e kryetar bashkie, më pas si kryetar zyrtar i PD por që komandohej nga Berisha, pra as Basha nuk ka arritur të thotë se në tetë vitet e tij në opozitë Berisha ishte bashkëpunëtori i tij. Bardhi e thotë pa u skuqur as zverdhur “ish bashkëpuntori im Basha”. Apo të tjerë pa shtyllë kurrizore të dalë nga PD, që lëvizin si ‘bolja e kandarit’ (nuk është term negativ, është emërtesë për një segment të peshoreve të vjetra që përdoreshin në të gjitha pazaret shqiptare dhe kështu quheshin në çdo cep të Shqipërisë), dhe që janë prurje ‘neto’ të Bashës në politikë, ku vende vende i përfshin dhe ‘gazi’ në mes të emisioneve televizive, duke vënë në siklet dhe moderatorët, me argumentin se kur përmendet Basha nuk e mbajnë të qeshurën.
Megjithëse janë bërë për mëshirë vetë, pasi nuk kanë bërë një vepër në jetën e tyre, në shërbim të politikës po themi. Kanë marrë gjithçka ‘qyl’, si vetë Basha, mandat deputeti apo dhe poste të tjera, dhe tashmë pasi e kanë bërë ‘telef’ Berishën përmbi një vit, janë rikthyer tek ai me ‘veshët’ ulur. Njëherësh i sulen Bashës për ta denigruar e fyer, në garë për t’i bërë qejfin Berishës, me shpresën se do të kapin ‘qyl’ ndonjë karrige deputeti më 2015. Lulzim Bashën nuk e mbrojmë asnjëherë, ka një mijë e një të meta e dobësi. Madje më shumë se të tjerët. E dimë të gjithë se nuk e sjell opozitën kurrë në pushtet. Dhe kur ishte bashkë me Berishën e tërë opozitën në një front të vetëm, nuk arriti të mundë PS dhe Edi Ramën. Jo më tani që opozita është copë copë, dhe janë në një luftë të brendshme, të gjithë kundër të gjithëve, me 8 janarin e dhunshëm dhe të parikuperueshëm në selinë e PD, në ‘mes’. Por ama Lulzim Basha e ka realizuar “kryeveprën” e vet: Përjashtoi dhe dëboi Sali Berishën nga PD, duke e lënë rrugëve. Bëri atë që askush jo vetëm që s’kishte guxuar, në PD luftohej gjithnjë për numrin dy të saj se numri një ishte zënë dhe as që e diskutonin, por as i kishte shkuar kujt në mendje në këtë parti: Berishën e dëboi nga PD pa të drejtë kthimi. Pasi Basha, sado të rrudhet PD, gjithsesi sikurse kanë ardhur punët do mbetet kryetar i PD zyrtare. Eshtë e vdekur kjo punë. Ndërsa Berisha, por dhe Bardhi dhe ata që kanë shkuar tek “Foltorja” tashmë së fundmi, do jenë të detyruar tërë kohën ose të garojnë nën siglën e PL të Ilir Metës, ose të bëjnë parti të re politike.
Basha, ritheksojmë, do të mbetet në histori si njeriu që ka humbur të gjitha betejat elektorale përballë kundërshtarit politik sa kohë ka qënë dhe do të jetë në krye të PD, por ama do të mbetet në histori si njeriu që dëboi Berishën nga PD. Dhe kjo nuk është pak. Të lësh Berishën të drejtojë një grupim politik në të ‘zezë’ sado i madh të jetë, dhe pa mundur të flasë në emër të PD, të cilën e drejtoi për gati tre dekada, është arritje madhore. Por dhe një shërbim ndaj PD e politikës, pasi për partinë më të madhe opozitare zgjodhi orientimin pro-Perëndimor e aleatët e mëdhenj SHBA, BE e Britaninë, duke u ndarë përfundimisht nga “non grata” dhe simboli ‘anti-Perëndim. Duke e dëbuar nga PD dhe duke e lënë rrugëve, në këtë situatë kur ka shpërthyer konflikti mes Izraelit dhe grupit Hamas, ky i fundit lëshoi mijëra raketa dhe hyri në territorin Izraelit duke shkaktuar mbi 700 viktima të pafajshme e marrë qindra pengje, Basha ‘fshiu’ nga lista e aktorëve politikë pikërisht Sali Berishën, njeriun e shquar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me “bijtë e terrorit”, deri duke e kthyer vendin në poligon për stërvitjen radikalëve islamikë të Al Kaedës dhe u bë ‘mikpritës’ i vetë Osama Bin Laden. Pra Berisha në krye të PD dhe opozitës do ishte një Hamas, Fatah, Hesbullah dhe Xhihad bashkë, në këtë situatë. Do na kishte marrë erzin para botës. Këtë nuk e kanë arritur që nga Ceka, Hajdari, Pashko dhe të tjerët për të ardhur te Bardhi, që ‘ka pasur bashkëpunëtor Bashën’, e deri tek ata pa shtyllë kurrizore që lëvizin si lavjerrës sa andej këndej, sa herë që mendojnë se lëvizin balancat politike. Madje se kanë arritur as kundërshtarët politikë jashtë PD, megjithëse e kanë mundur në zgjedhje, por herë në krye të PD e herë në prapaskenë, Berisha ia ka dalë të “mbijetojë”. Vetëm Basha e ‘dogji’ përfundimisht. Ama PD po shkon drejt shuarjes, dhe ‘arkitektët’ e kësaj shuarje Berisha dhe Basha, për hir të së vërtetës s’kanë qënë vetëm asnjëherë në këtë ‘ndërmarrje’ të vështirë. Për kohën e shuarjes së PD, këtu jemi, do presim dhe të shohim.