Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se sulmi në veri të Kosovës të dielën e kaluar ishte parapërgatitur nga segmente shtetërore të Serbisë në bashkëpunim me Rusinë. “Ditën e diel të javës se kaluar segmente paramilitare të përgatitura nga segmente shtetërore të Serbisë në bashkëpunim me një pale të tretë që është Rusia, tentuan lançimin e një pjese të planit për vënien nën kontroll me forcë të territorit të Veriut të Kosovës”, theksoi fillimisht Basha në Euronews Albania. Sipas tij, ishte profesionalizmi i Policisë së Kosovës dhe bashkëpunim i ngushtë me institucionet euroatlantike që bënë të mundur shkatërrimin e planit të Serbisë.
“Ishte profesionalizmi i Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimi i ngushtë me institucionet euroatlantike që bënë të mundur shkatërrimin e këtij plani dhe zmbrapsjen e efektivëve që i ishte ngarkuar ky plan. Vënia në kontroll me dhunë e një pjese të territorit të një shteti të pavarur si Kosova është një situatë e rëndë për paqen për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore ku ka anëtarë të NATO-së dhe BE-së”, shtoi ai. Kreu i selisë blu konsideroi gjatë intervistës se Serbia është “delja e zezë e Ballkanit” dhe është një vend i dyzuar që gjithmonë përdor mjete të tjera për të zgjidhur problemet politike.
“Aleati më i ngushtë i Vuçiç është shpallur ‘non grata’. Moska nuk e bën këtë për interesat serbe. Interesi i Moskës është të hapë një front të dytë. Në këtë front të dytë po përdor qytetarët e një vendi tjetër”, u shpreh Lulzim Basha. Në përmbyllje, ai ravijëzoi se Partia Demokratike do të dorëzojë një kërkesë të hënën e 2 tetorit për interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama lidhur me deklaratën e tij për vendosjen e KFOR-it në veri të Kosovës.
“Rama duhet të sqarojë nëse është i pa-informuar apo nëse po kërkon largimin e policisë së Kosovës nga veriu. Një deklaratë e tillë është e rrezikshme dhe e dënueshme dhe kur vjen nga një autoritet i Serbisë e jo më të vijë nga cilido person me përgjegjësi publike në Shqipëri e aq më pak nga shefi i qeverisë shqiptare. Nëse Rama ka kërkuar largimin e policisë së Kosovës, Rama urgjentisht duhet të merret nën mbikëqyrje politike dhe të gjithë-anshme”, theksoi kreu i PD-së.