Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, sot në ditën e tretë të vizitës në Kalabri, u takua me komunitetin arbëresh dhe autoritetet vendore në Macchia Albanese, San Cosmo Albanese, Vaccarizzo Albanese dhe San Giorgio Albanese.

Presidenti Begaj vizitoi shtëpinë e Jeronim De Radës në Macchia Albanese, vendosi kurorë lulesh në bustin e tij dhe vizitoi varrin ku prehet rilindasi arbëresh, në Kishën e Shën Mërisë së Konstandinopojës.

“Arbëreshët e Italisë kanë shumë për t’u krenuar. Por ju të Macchia Albanese keni shumë më shumë arsye, pasi mbani në gjirin tuaj rilindasin Jeronim De Rada, poetin e madh që i këndoi e dha kontribut për Shqipërinë. Unë jam rritur me De Radën e më vjen keq që erdha pas kaq vitesh ta takoj atë. Ju faleminderit të gjithëve për gjithë atdhedashurinë tuaj të pamasë!”- deklaroi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj nderoi poetin tjetër arbëresh, Zef Serembe, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vendosi një kurorë me lule pranë statujës në San Cosmo Albanese. Bashkë me Kryetarin e Bashkisë, Presidenti Begaj ndau çmime për gjashtë personalitete arbëreshe të komunës për kontributin patriotik. Presidenti Begaj vendosi një kurorë lulesh edhe në bustin e Skënderbeut.