Prindërit tani do të mund të rrinë më të qetë, shkruajnë mediat italiane.

Të miturit të cilëve do t’u regjistrohet karta SIM e pajisjes së tyre celulare, nuk do të jenë më në gjendje të lundrojnë në ato faqe interneti që konsiderohen të rrezikshme dhe për të cilat kontrolli prindëror është ende në fuqi, pavarësisht se deri tani nuk ka dhënë efektet e dëshiruara. Bllokimi automatik nis nga data 21 nëntor, shkruan Il Giornale.
Vendimi i organizmit garantues të komunikimit prek faqet për të rritur, ato të lojërave të fatit dhe basteve, website që sigurojnë informacion, promovojnë apo mbështesin shitjen e armëve dhe sendeve të lidhura me to, si edhe faqe që paraqesin ose promovojnë dhunën ose cenimin personal, duke përfshirë vetë-dëmtimin, vetëvrasjen apo promovojnë dhunën e vazhdueshme dhe brutale.

Nuk do të jetë i mundur po kështu lundrimi as në portale që promovojnë urrejtjen dhe diskriminimin, që mbështesin praktika të cilat mund të dëmtojnë shëndetin, faqet që ofrojnë mjete dhe metoda për ta bërë aktivitetin online të pagjurmueshëm si dhe ato që promovojnë ose ofrojnë metoda, mjete udhëzimi ose burime të tjera për të ndikuar në ngjarje reale nëpërmjet përdorimit të magjive, mallkimeve, fuqive magjike ose qenieve të mbinatyrshme.
Në këtë mënyrë “mbulohet” në mënyrë konkrete dhe përfundimtare një e metë në sistem. Aktivizimi nga ana e prindërve e Parental Control, pra metoda që përdorin familjet për të kontrolluar faqet që shohin fëmijët e tyre, kontrollin e të cilave shpesh harrojnë ta aktivizojnë.
Rregulli i ri do të zbatohet për të gjithë operatorët telefonikë: sipas vlerësimeve të Shoqatës Italiane për Kujdesin Parësor Pediatrik të Lombardisë, të paktën 58.4% e fëmijëve të moshave nga 6 deri në 10 vjeç kanë tashmë një pajisje celulare personale.