Efekti surprizë për Unionin e Berlinit duket se ka përfunduar dhe skuadra kryeqytetase është zhytur në një krizë rezultatesh, aq sa për të gjetur fitoren e fundit, duhet të kthehesh më shumë se një muaj pas, kur më 26 gusht triumfonin 0-2 ndaj Darmstadt në transfertë. Që nga ajo datë kanë ardhur 6 humbje radhazi, katër prej të cilave në Bundesligë dhe dy në Champions League, teksa në Gjermani kanë filluar të shohin si “macen e zezë” pikërisht mbrojtësin italian Leonardo Bonucci.

I transferuar në kryeqytet në orët e fundit të merkatos, Bonucci nuk ka parë asnjë fitore me skuadrën e re, teksa në 4 prej 6 ndeshjeve të humbura ka qenë edhe vetë në fushë, duke mos arritur të ndihmojë skuadrën të rikthehet te rezultatet pozitive.
Natyrisht që faji për humbjet nuk është aspak i mbrojtësit italian, por e gjithë kjo lidhet me faktin që prej ardhjes së tij në Berlin, Unioni ka njohur vetëm humbje.
Leonardo Bonucci u largua nga Juventusi në fund të sezonit, pasi nuk bënte pjesë në planet e Allegrit dhe zgjodhi të transferohet te Union Berlin, për të luajtur edhe në Ligën e Kampionëve.