Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar planifikon të ndalojë telefonat celularë në shkollat anembanë Anglisë. Sekretarja e Arsimit, Gillian Keegan, pritet të shpallë ndalimin më vonë të hënën gjatë konferencës vjetore të Partisë Konservatore në Manchester, raportoi Daily Mail.

Mësohet se, udhëzimi i ri do t’u jepet shkollave në të gjithë Anglinë, duke kërkuar që ato të marrin masa për shkeljet e ndalimit të telefonave inteligjentë gjatë mësimeve dhe pushimeve.

“Gilian beson se telefonat celularë paraqesin një sfidë serioze përsa i përket shpërqendrimit, sjelljes përçarëse dhe ngacmimit. Është një nga çështjet më të mëdha me të cilat fëmijët dhe mësuesit duhet të përballen”, citohet të ketë thënë burimi i paidentifikuar nga Daily Mail.

Ky ndalim i telefonave celulare është bërë tashmë në disa shkolla, ku nxënësve u kërkohet të dorëzojnë telefonat e tyre çdo mëngjes, por shumë të tjerë ende e lejojnë përdorimin e tyre, veçanërisht gjatë pushimeve.