Fillimisht frika, pastaj psherëtima e madhe e lehtësimit. Çelsi nuk është ende perfekt, por duket se e ka prishur mallkimin pas suksesit të dytë radhazi në Premier Ligë.

Blutë kalojnë me sukses testin në fushën e Bërnlejt të Vinsent Kompanisë, për të thënë të vërtetën jo pa shumë vështirësi, veçanërisht në fillim kur në minutën e 16-të, Odobert bën që fantazmat në kokën e Poçetinos dhe ekipit të tij të rishfaqen, duke i dhënë epërsinë skuadrës vendëse.

Megjithatë, londinezët mbetën në ndeshje dhe me kalimin e minutave bënë një diferencë të madhe në favor të tyre në nivelin teknik: barazimi erdhi falë autogolit fatkeq të Al-Dakhil.

Në pjesën e dytë përmbysin penalltia e Palmerit dhe goli i Sterlingut, ndërsa Xhekson shënoi golin e 4-1. Armando Broja ishte sërish titullar, ndërsa në 45 minutat që luajti, blutë u shfaqën kërcënues me sulmuesin shqiptar dhe Sterlingun, me topat e gjatë që vinin në vështirësi linjën lart të mbrojtjes së skuadrës së Kompanisë.

Por në pjesën e dytë Poçetino vendosi që Broja t’i lërë vendin Xheksonit, i cili u rikthye nga pezullimi. Trajneri argjentinas shfaqi edhe njëherë besimin te talenti i Kombëtares shqiptare, duke i dhënë të tjera minuta të rëndësishme në prag të kualifikueses së Shqipërisë kundër Çekisë.

Në vigjilje të ndeshjes, Poçetino u pyet sërish në lidhje me Brojën, por theksoi se nuk duhet ta krahasojnë rastin e Brojës me sulmues të tjerë, përfshirë edhe Herri Kejnin.

“Mos e krahasoni atë që bëra me Kejnin me rastin e Brojës. Ai është shumë i ri. Nëse dëshiron të luash për një klub të madh si Çelsi duhet të kesh durim dhe të tregosh se mund ta bësh. Sigurisht që ai duhet të provojë dhe të japë gjithçka për të qenë një sulmues tjetër në këtë superklub”, deklaroi Poçetino.