Jasir Asani është emri më i lakuar i Kombëtares kuqezi. Mëngjarashi i sulmit luan me Kuangju në Korenë e Jugut, teksa i ka futur frikën çekëve, para ndeshjes që Shqipëria luan nesër kundër Çekisë, e vlefshme për grupin E të Euro 2024 në “Air Albania”.
Media “Idnez.cz” e ka quajtur mëngjarashin si “Arjen Robbenin” e Shqipërisë, duke kujtuar nofkën pas goditjes dhe golit kundër Polonisë një muaj më parë. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut është zbulimi i Sylvinhos, teksa ka bërë për vete tifozët me lojën dhe grintën në fushë.

“Çeki, ju pret ferri në Tiranë”, kështu e kanë titulluar reportazhin në medien në fjalë për 22 mijë tifozët në stadium, teksa Jasir Asani tregon nga kryeqyteti shqiptar se ndeshja e orës 20:45 vlen vetëm tri pikë. “Prit dreqin. Në stadium dhe në rrugë. Tashmë në vendin tonë ka eufori futbolli”, thotë Jasir Asani në një intervistë për iDNES.