Këtë javë parashikohet që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por presidentja Vjosa Osmani është shprehur se nuk do t’i vihet pika çdo gjëje.
Ndërsa pritet që dy vende të pranojnë disa nga kërkesat dhe propozimet e paraqitura të shtunën nga 5 diplomatët perëndimorë, Osmani e theksoi se do të jetë javë e rëndësishme.
“Natyrisht që është javë e rëndësishme por nuk do të thoja që është javë ku i vihet pika gjithçkaje. Kosova është e përkushtuar që të punojë me partnerët që të gjejmë zgjidhje përpara në mënyrë që marrëveshja e 27 shkurtit, marrëveshja e Brukselit dhe njëkohësisht aneksi i Ohrit i 18 marsit të zbatohen plotësisht, të zbatohen pa kushte dhe të mos ketë vetëm pjesë të caktuar të cilat kërkohen të zbatohen kurse Serbia të ikë nga obligimet e saj. Balancimi dhe vetëzbatimi i drejt dhe i balancuar i marrëveshjes është kyçe”, tha Osmani në një intervistë për RTV21 pas mbledhjes në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Osmani gjithashtu theksoi se është shumë e rëndësishme që hapat përpara të bëhen në koordinim me aleatët.