Pesë emisarët e BE-së, që ndodhen sot në Kosovë për takim me kryeministrin Albin Kurti, kanë sjellë me vete draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ,të përgatitur nga ekipet e tyre.
Ky draft-statut i Asociacionit mbështetet edhe në Pakon e Ahtisaarit që është edhe baza e Kushtetutës së Kosovës.
Që prej prezantimit të planit franko-gjerman, Perëndimi ka insituar që pala kosovare të dalë me një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që shihet si pjesa kyçe e marrëveshjes, por nuk ka pasur ndonjë lëvizje.
Ideja që ndërmjetësi të sjellë në negociata draft-statutin është diskutuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në akademinë verore “Quo vadis Europa?”, në Santander të Spanjës nga data 21 deri më 25 gusht. Por sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ka shtyrë gjithcka.
Në takimin e 14 shtatorit në Bruksel pala kosovare kishte hedhur poshtë planin e sekuencimin të propozuar nga ndërmjetësit që parashihte që zbatimi i Aneksit të Ohrit të fillonte me fillimin e hartimit të dokumenteve për themelimin e Asociacionit në këmbim të heqjes së fusnotës/asteriksin me të cilën prezantohet Kosova në disa forume rajonale.
Zyrtarisht, pritjet nga vizita e pesëshes në Kosovë dhe Serbi janë se ata do të vijnë me kërkesa specifike për palët duke kërkuar implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit pa vonesa e pa kushte.