Nicolo Fagioli u dënua me shtatë muaj pezullim nga futbolli për shkak të përfshirjes së tij në vendosjen e basteve në platforma ilegale në Itali. Mesfushori i Juventus u rrëfye në Prokurori dhe në media janë publikuar edhe disa nga deklaratat e tij.
Fagioli e pranoi se kishte krijuar varësi nga bastet si dhe ishte zhytur thellë në këtë botë, duke pasur edhe borxhe të majme. Lojtari i Juventus tregoi se kishte marrë edhe kërcënime për shkak të borxheve ndërsa shtoi shtoi se i kishte marrë borxh edhe shokut të tij te Juventus, Gatti.
“Fillova të mos flija më gjatë natës, kisha shumë borxhe. Nisa të luaj futboll me mendimin se kështu do të mund të shlyeja borxhet. Kam marrë kërcënime, më kanë thënë se do të më thyenin këmbët. Isha aq shumë në borxhe sa edhe nëse arrija të fitoja, sërish nuk mund t’i shlyeja ato.
Vendosja baste për futbollin, tenisin dhe kazino. E nisa këtë në verën e vitit 2021 kur isha në kampin e trajnimit me skuadrën e U21. E bënin edhe të tjerët, prandaj nuk u interesova shumë nëse platformat ishin të ligjshme apo jo. Ndryshimi i platformave legale me ato jo legale, është se në platformat e ligjshme nuk mund të luash pa paguar paratë.