Biznesmeni Fatmir Bektashi nuk e ankimon masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të dhënë nga GJKKO për çështjen “Partizani”.

Avokatja e ndërtuesit, Vasilika Hysi i tha gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, se megjithëse nuk kanë marrë ende një vendim nga gjykata, klienti i saj ka vendosur të mos e ankimojnë duke qëndruar në disponibilitet të plotë me drejtësinë. “Nuk e ankimova, jam i gatshëm të përballem dhe të jem në dispozicion të drejtësisë sepse nuk kam gabuar dhe nuk kam pas kurrë një kundërvajtje administrative jo më vepër penale.”

“Akoma nuk na i ka dërguar vendimin gjykata, por nuk do e ankimoj”- tha Hysi për Top Channel.
Nga ana tjetër, njëri prej avokatëve të Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi ka dorëzuar ankimimin për vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila vendosi masën “Arrest me burg” disa ditë më parë.

Disa orë më parë mbrojtja tha për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha se nuk ka elementë të korrupsionit të cilat vërtetojnë se Malltezi ka kryer korrupsion në bashkëpunim. Ajo theksoi se nuk vërtetohet kjo dhe nëse nuk ka korrupsion, atëherë nuk ka dhe pastrim parash, duke nënvizuar se ka prova që provojnë mosimplikimin e Jamarbër Malltezit në këtë çështje.

Gjatë deklarimit në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur më 23 tetor, Malltezi i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash deklaroi se procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.
“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000. Është firmosur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”, tha Malltezi, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha. Sipas Malltezit, zona ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi, jo pjesërisht sportive sikurse e përmend akuza.

Në dëshminë e siguruar nga Top Channel, akuzat ndaj tij, Malltezi i cilësoi sulm politik, ndërsa akuzoi Prokurorinë e Posaçme se ka marrë për bazë “fotokopje” gjithçka ka thënë akuzuesi kryesor në këtë çështje, Taulant Balla.