Turqia ka ofruar të ndërmjetësojë në krizën e tanishme në Izrael. Por, siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” nga Stambolli, Dorian Jones, Presidenti turk po përballet me kritika nga bashkësia ndërkombëtare për pritjen që u ka bërë zyrtarëve të lartë të Hamasit, grupit që Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera e kanë shpallur si organizatë terroriste. Në Stamboll, mijëra njerëz i dënuan sulmet e Izraelit ndaj Gazës, që synon të shkatërrojnë udhëheqësit e Hamasit, të cilët kontrollojnë Gazën. Pjesa më e madhe e përkrahësve të Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan janë fetarë, kundërshtarë të Izraelit dhe zoti Erdogan në të kaluarën ka qenë në ballë të denoncimeve të shtetit hebraik. Por disa vëzhgues thonë se presidenti turk kohët e fundit po mban një qasje më të moderuar ndaj Izraelit, përfshirë përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me kryeministrin Benjamin Netanyahu. “Afrimi me Izraelin është mjaft i rëndësishëm për Presidentin, kjo duket nga reagimet e tij të para që ishin mjaft të buta, duke pasur parasysh si ka reaguar në të kaluarën për çështje të tilla,” vlerëson zoti Soli Ozel pranë Universitetit “Kadir Has”.
Duke u përqëndruar tek zhvillimet pozitive, ambasada e Izraelit në Ankara publikoi një mesazh video përmes të cilit falenderon qytetarët turq që u solidarizuan me izraelitët përmes rrjeteve sociale. Por takimi i zotit Erdogan me udhëheqësit e lartë të Hamasit në Ankara dhe pohimet e Izraelit se shumë nga udhëheqësit e lartë të organizatës jetojnë në Turqi, sigurisht se do të shqyrtohen nga qeveria izraelite ndërkohë që vlerëson pasojat e sulmit vdekjeprurës. “Hamasi është i pranishëm në Turqi. Parë nga këndvështrimi i Izraelit, fakti që operativët e Hamasit veprojnë në Turqi është alarmues,” thotë analistja Gallia Kundenstrauss pranë Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare. Presidenti Erdogan thotë se ka marrëdhënie të afërta me Hamasin, çka i mundëson atij të ketë rol ndërmjetësues dhe të kundërbalancojë ndikimin e Iranit mbi këtë organizatë.
Një zyrtar turk është cituar nga agjencia e lajmeve Reuters të ketë thënë se Ankaraja po punon për të siguruar lirimin e mbi 100 pengjeve izraelite, që po mbahen peng nga Hamasi. Turqia i ka bërë thirrje Izraelit të përmbahet ndërkohë që ka përkrahur kërkesën e Netanyahut për t’i mbajtur përgjegjës pjesëtarët e Hamasit që kryen sulmin. “E mbështes Netanyahun në këtë pikë. Duhet t’i kapin dhe t’i dënojnë ata që janë prapa këtij veprimi kriminal në bazë të parimit të sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës për t’u vetmbrojtur. Por përtej kësaj, nëse vrasin fëmijë dhe civilë, atëherë reagimi do të kthehej në spastrim etnik dhe veprime tjera kriminale,” thotë këshilltari i presidentit turk, Mesut Casin. Forcat izraelite po përshkallëzojnë sulmet ndaj Gazës dhe duket se po përgatiten për një sulm tokësor, diçka që sipas zotit Ozel mund ta vendosë zotin Erdogan në pozitë të pavolitshme.
“Do të jetë jashtëzakonisht e përgjakshme. Mendoj se izraelitët do të bëhen të pamëshirshëm dhe nuk do t’i dëgjojnë thirrjet për qetësi,” thotë zoti Ozel.
Shumica e partive kryesore opozitare të Turqisë po përkrahin palestinezët dhe po dënojnë Izraelin. Ky fakt, krahas thirrjeve për protesta, po shtojnë trysninë ndaj zotit Erdogan për të ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Izraelit.