Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho ka shpallur mesditën e së premtes listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 në grupin E me Çekinë, e cila luhet më 12 tetor në Tiranë dhe për miqësoren e 17 tetorit po në “Air Albania” me Bullgarinë.
Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë në shtator. Rikthehet me Kombëtaren sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju, teksa së fundmi ka luajtur me Chelsea në Premier League. Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian të Kombëtares.
Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”. Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.
Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.