TIRANË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Shkozë, ku 21-vjeçari Hysen Xhakolli është goditur nga disa persona ende të paidentifikuar me sende të forta.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30 në Shkozë, ndërsa i riu u dërgua në spital për shkak të lëndimeve të marra. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema bën me dije se i riu është jashtë rrezikut për jetën ndërsa po pyetet nga policia për motivin. Pasi kanë goditur të riun autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

‘Tiranë/Informacion paraprak:

Më datë 18.10.2023, rreth orës 21:30, në Shkozë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta shtetasin H. Xh., 21 vjeç, dhe më pas janë larguar.
Si pasojë 21-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.’- thuhet në njoftimin e policisë.