Conference League është në ndeshjet e dyta të grupeve. Këtë të enjte me fillim në 18:45, Ballkani i Ilir Dajës fitoi 2-0 kundër gjigantëve të Dinamo Zagreb për grupin C. Në Stamboll, Besiktasi u befasua nga Lugano, me zviceranët që përmbysën 2-3 skuadrën e Milot Rashicës. Në ndeshjet e tjera, AZ Alkmaar fitoi 1-0 me Legian e Varshavës, teksa Ernest Muçi u fut në fushë në minutën e 62. Tri pikë edhe për Aston Villën, PAOK dhe Fenerbahce.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Ballkani fitoi 2-0 kundër Dinamos së Zagrebit, ndeshje e vlefshme për grupin C të Conference League. Në një impiant të mbushur dhe me lojtarin e 12-të në të, kampionët e Kosovës morën tri pikë kundër gjigantëve të Dinamos së Zagrebit, duke dominuar me lojë dhe raste në një ndeshje që ishte model.

Gjithçka u zhbllokua në fundin e pjesës së parë, kur Qëndrim Zyba asistoi për Almir Kryeziun, me këtë të fundit që lëshoi një “predhë” dhe kaloi vendasit në epërsi. Pas konsultës me VAR goli u quajt i rregullt, me djemtë e Dajës që shkuan në pushim me avantazhin minimal.

Në pjesën e dytë dhe konkretisht në të 83 minutë, Ualid Hamidi shënoi për 2-0, teksa Ballkani kështu siguron tri pikët e para në këtë kompeticion, kjo pas humbjes në ndeshjen e parë me Viktoria Plzen. Kësisoj, kampionët e Kosovës me tri pikë mbajnë vendin e dytë, teksa Plzen me gjashtë pikë është në krye. Dinamo ka tre pikë, ndërsa me zero pikë Astana është e fundit.

Besiktas humbi 2-3 në Stamboll kundër Luganos, për ndeshjen e dytë në grupin D të Conference League. Edhe pse me Milot Rashicën në fushë për 45 minuta, skuadra turke nuk mundi të merrte pikë në shtëpi, duke u barazuar dhe më pas kaluar nga zviceranët.

Vendasit kaluan në avantazh të dyfishtë me Aboubakar në minutat 38-të dhe 52, ndërsa dhjetë minutat e fundit të ndeshjes ishin dramatike. Lugano shënoi me Aliseda dhe barazoi me shqiptarin Shkëlqim Vladi, teksa në fundin e ndeshjes Eric Bailly shënoi në portën e tij, për t’i dhënë Besiktasit një goditje, për humbjen 2-3. Në grupin D të Conference League, Lugano dhe Club Brugge kanë nga katër pikë dhe ndajnë kreun, teksa Besiktas dhe Bodo Glimt nga një pikë.

Rezultatet: