Serie A e futbollit është në raundin e nëntë. Këtë të diel gjithçka filloi në orën 12:30, me Romën që fitoi 1-0 me Monzën në fundin e ndeshjes. Sulmuesi i Kombëtares, Marvin Çuni fitoi penallti për Frosinonen, me këta të fundit që humbën 2-1 në transfertën e Bolognas. Kryendeshja e javës u vendos nga Locatelli, me Juventusin që mundi 0-1 Milanin në “San Siro”.

Në stadiumin “Olimpic”, Roma fitoi 1-0 në shtëpi kundër Monzës. Për javën e nëntë në Serie A vendosi goli i El Shaarawy në minutën e 90-të të ndeshjes. Një rrëmujë në zonë solli edhe golin, me sulmuesin e kombëtares së Italisë që shkarkoi të djathtën duke e ndalur sferën në rrjetë. Pas fërshëllimës së arbitrit, trajneri i Romës, Jose Mourinho doli me karton të kuq pasi ironizoi dhe u përplas me stafin e miqve nga “Brianteo”. Me këtë sukses Roma ngjitet në vendin e gjashtë në klasifikim me 14 pikë. Monza me 12 pikë zbret në vendin e 11-të.

Në “Renato Dall’Ara”, Bologna vendase fitoi 2-1 me Frosinonen. Për javën e nëntë në Serie A, emrin te protagonistët e këtij takimi e shënoi edhe sulmuesi i Kombëtares, Marvin Çuni. 22-vjeçari u fut në fushë në minutën e 56-të, teksa pas shtatë minutash fitoi penallti për të tijtë, kthyer në gol nga Soule. Paçka penalltisë të kthyer në gol nga Frosinone, vendasit e Cagliarit fituan falë golave të Ferguson dhe De Silvestri në pjesën e parë.

Kryendeshja e javës së nëntë në Serie A foli për Juventusin. “Zonja e Vjetër” mundi 0-1 në “San Siro” skuadrën e Milanit, me golin e një ish-i si Locatelli. Pjesa e parë ishte më mirë për Milanin, paçka se rastet në portat respektive ishin me pikatore. Minuta e 40-të vendosi shumë për këtë përballje, pasi Thiaw la kuqezinjtë me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq për ndërhyrjen e gabuar te Kean. Në pjesën e dytë rolet ndryshuan dhe bardhezinjtë nga Torino shfrytëzuan avantazhin numerik. Duhej perla e Locatellit nga afro 30 metër për të ndëshkuar Miranten, kjo edhe falë një devijimi të mbrojtjes së vendasve. Minutat e mbetura u kontrolluan nga Juve, me Milanin që u duk i pafuqishëm. Në fund Miretti dhe Vlahovic u ndalën nga Mirante, që shpëtoi të tijtë nga goli i dytë. Minuta e 90+5 solli edhe kartonin e verdhë për Allegrin, me trajnerin e Juves që më shumë se për protestë ishte i nxehur me të tijtë që nuk po shënonin golin e dytë për të mbyllur takimin. Me këtë fitore, Juve shkon në kuotën e 20 pikëve po në vendin e tretë, një pikë më pak se Milani i vendit të dytë. Interi me 22 pikë kryeson Serinë A pas javës së nëntë.

Serie A – java e 9-të, e diel:

12:30 Roma 1-0 Monza

15:00 Bologna 2-1 Frosinone

15:00 Salernitana 2-2 Cagliari

18:00 Atalanta 2-0 Genoa

20:45 Milan 0-1 Juventus

Renditja: